Dienstag, 17. Dezember 2013

Engjëll I. Berisha - Jeta e tij ishte poezi


Tahir Desku “Në tërësi, jeta e tij ishte poezi e kohës”
 
Nga Engjëll I. Berisha
 
Tahiri ndonëse për shumë kënd bënte një jetë të çrregullt, sjelljet e tij, jeta që bënte dhe ai këngëtimi i tij kafeneve, ishte refleksim i kohës, apo më së miri mund të themi se ishte poezia që shkruhej nga çdo shqiptarë.
Tani, na duket ndryshe, edhe poezia, edhe sjellja e të gjithë neve, ngase jetojmë të lirë dhe mendojmë ndryshe. Por,
atëherë, Tahiri i dërgoi një letër varrit me një poezi “Letër varrit”, ku I thotë se, “Dua të jesh sa më i gjatë, e sa më i gjerë që të kem kah të sillem shlirë, të kem ku të pushoi”. Ai, nuk jetonte me vdekjen, përkundrazi, jepte frymë jete, bile më të hareshme nuk e spjegonte kushë, por, e shihte vdekjen se si sillej mbi ne. Dhe poezia ishte ajo që nxjerrte nga sytë tanë atë gjendjen që ndodheshim. Dhe, poeti Desku ishte ai që dinte ta lexonte më së miri këtë. Që dinte ta thoshte botërisht më së miri.
E bile, ka dhe një varg tjetër ku i dërgon letër vdekjes. Ai thotë, “S’mund të më marrësh me vehte, ngase më mungon frymëzimi”. Këtë vetëm poeti mund ta thoshte atëherë. Dhe, kur i erdhi frymëzimi, ai shkoi ku pëlciste baroti për ta mbrojtur popullin e vetë dhe për tu takuar me vdekjen. Si duket edhe këtu, nuk iu ka dorëzuar vdekjës. Ndërsa në një natë dhjetori, në ditët e Lirisë, vdekja ia kishte zënë moment frymëzimin si afër dhe iu kishte çfaqur për ta marrur. Dhe e mori. Ju garantoi se nëse ka reinkarnim të jetës, Tahiri, gjithnjë do të reinkarnohet vetëm si poetë.
Ka shumë njerëz që e njohën, bile, derisa ai jetoi jashtë Kosove, e shtrini vetveten edhe më largë, tek çdo shqiptarë. Dhe erdhi me një mori miqësh në kujtesë dhe në vargje të tijë. Të gjithë ata që e njohën kanë vetëm një emërim të tijë, - ai poeti, thonë.
Unë, derisa bëra një copë jetë me te, duke ndarë dhomën në Prishtinë, pastaj për kohë të gjatë edhe në shtëpinë time, mbaj mend se në secilin gjest që bënte, secilen levizje, edhe kur shante siq shahen miqtë, nxjerrte poetikë nga vetvetja. Mbase, unë si mik i afërt i tij, e shihja të tillë, pasi që të tillë si poetë edhe e njoha.
Lirinë, e jetojë prapë duke u ankuar. I thashë, Tahir të ka mbetur disketë e vjetër të ankohesh. Tani jemi në rrethana të reja, duhet ta ndërrosh. Joooo more më tha. Nëse nuk kam ditur si ta përshkruaj në poezi Lirinë, së paku e di si ta shohë. Dhe nuk po e shohë të tillë. Edhe ne, gjenerata e jonë, nuk do ta bëjmë Lirinë, nëse ne e sollëm atë. Do ta bëjnë, ata që po rriten në Liri”. Këto janë disa nga dialogjet tona, nga ato netë të gjata që kaluam pas lufte në Gjakovë.
Tahiri më kishte inatë pse nuk e pija alkoholin. Më thoshte, “gomar i vetmi je ti që mund të rrish me mua, e nuk e qon një gotë. Nuk e di si e shkruan ti poezinë. A të dhemb ndokund, apo ne nuk jemi asnjëherë esull, e nuk e dijmë kah vijnë e kah shkojne dhembjet”. Kjo është bohemia e tijë rrugëve të Prishtinës. Netëve të gjata deri në mëngjes, që e kishte inatë gjumin ngase i bëhej se nuk po jeton derisa flenë. Dhe kur zgjohej heret thoshte, “Një popull që nuk e shehë diellin duke lindur, kurrë s’do të përparojë”.
Nga Tahiri mësova si ta shkruaj të motivuar poezinë. Përderisa nga Teki Dërvishi, mësova në tërësi se çka është poezi dhe çka është ironi

Fatime Kulli - NË KËSHTJELLË TË LIRISË


 
Poezi nga Fatime Kulli

NË KËSHTJELLË TË LIRISË

(Kushtuar poetit Tahir Desku)

Mes ëndrrash e legjendash
mbahem fort pas pemës së identitetit,
mes gumëzhimash, krismash e të qara foshnjash
maleve të lashtë të Drenicës....


Në faqen e purpurt të historisë
përkund djepin,
muza shpirtërore
e poetit Tahir Desku nga Klina.

Në duar shtrëngoj ruzaret e Shën Mërisë
ku shndrijnë aureolat e “Engjëjve të lirisë”.
Në logun e përgjakur të luftës
rritej trimëria e fjalës...
Luftëtari dhe reporteri trim
me gjak qëndisi vargje për liri.

Shëtis nëpër ëndrra legjendash
mes drithërimash lotit...
Shshëëtt! Shpirti i tij oshtin
nën frymën e tokës Amë...

Tej në horizont shfaqet një kalë i bardhë,
ngarkuar me degë ulliri, vjen prej larg...
Hingëllima derdh tinguj mitik...

Shëtis nëpër ëndrra të gjelbra...
Malet e Drenicës
me zogjtë që shtegtojnë qiparisave të lirë,
duke kënduar këngën e përjetshme:
“ENGJUJT E LIRISË”!

Donnerstag, 11. Juli 2013

Sabit Rrustemi: SHERRI I ASAJ ANDRRE


Sabit RRUSTEMI

SHERRI I ASAJ ANDRRE
(poetit dhe mikut tim, Tahir Deskut)

Nuk asht’ ma n’ Qendër a te Grandi
Besa as te Qafa aty te kandi
Kot e kërkoni te Koha kah Bagremi
E ka braktisur dhe atë lagje poeti
Thonë se ka ndreq diku nji shpi për veti
Mos e pritni as sonte shkoi n’ gjeti
Nuk besoj ta ket harru adresën
Symbyllas e di ku e ka t’hapun derën

Sekush e kish pa tue puthë qytetin
Nji pano me andrra qi nuk tresin
Pak pa u nis udhës përtej Drini
E kish fsheh flokësh nji gocë dukagjini
Prej burrave t’çartun Çiçavicës
Mos me hy n’atë kangë të Drenicës
I ri për plumb i vonë për mbret
Sherri i asaj andrre u ba poet

Sa vargje nxorri sa gota shtjerri
Kohën kohë qysh dashti e bjerri
Kur ju tek me pshty e pshtyni
Ku ia deshi pika e qejfit ai hyni
Ashtu si ishte krejt pa kërrname
Dekën sa herë e veshi n’pixhame
Pesë pare nuk i dha për qina
As kur mali u mbush martina

Gjeti prejardhjen e dashunisë
Kur rrënoi muret e vetmisë
Muzë ju banë engjujt e lirisë
Në çdo cep të Dardanisë
Vargu i mbiu i u ba vepër
Për me g’zue nji kohë tjetër
Tuj kalu nji mal mynxyra
Për m'i kesh përherë f’tyra

Tahir desku bash mem ngue
S’ka me nxanë kurrë në thue
As gjeth t’dekës s’ka me kërkue
Sall me lule ka m’u mlue
Se ashtu vetë ka dishrue
Nji jetë tanë ai ka knue
Për n’jat andërr qi ka andrrue
Me shu etjen tek ai krue

( 13 dhjetor 2011)

Dienstag, 9. Juli 2013

Halil Haxhosaj : METAFORË KOHE U BËRE

 
Halil Haxhosaj

METAFORË KOHE U BËRE

(Tahir Deskut)

Nuk më kujtohet asnjë ofshamë e jotja
Në orët letrare në amfiteatër në Prishtinë,
Në sallën solemne të pallatit në Gjakovë
Në Orën e Madhe të Mitingut të poezisë 

Vetëm metaforë fitoreje dëshiroje
Të bëheshe në të gjitha seancat

Afshin e Dheut të Drenicës Dukagjinit
Të Kosovës e të Arbërisë e thithe
Duke gulçuar për rreze lirie

Tituj veprash e bëre jetën
Rrokje të tyre rropatjet e saj
Dashurinë për të kurrë s’e trete

Në secilën metaforë ndriçoi ylli
I rrezeve të larta të flijimit
Më tri shkronja UÇK në ballë
Në kraharor në zemër

Dheu i kësaj toka ta fali amshimin
Prehu i qetë e me krenari në të
Sepse e ke Medaljonin e përjetësisë

Metaforë kohe u bëre ...

Sonntag, 7. Juli 2013

Kozeta Zavalani: Pavdekësi


Kozeta Zavalani

Pavdekësi

Kushtuar poetit kosovar T.Desku.

Me lulemimozat çelëm të dy,

brymë yjesh mblodhëm bashkë
e me pasion thurrëm poezi,
ndaj k’të fillim marsi të kujtoj ty
me këngëvajet e rimave e vrimave
që të dhuruan përjetësi.

Ngarkuar me 55 trëndafila dielli,
si pasthirmat e tua mbi asfalt,
që gëlltiti heshtja atë natë
mbi lëkurën e ngrirë të asfaltit,
dhimbja ime për ty frymën ndal.

Në fashitjen e butësisë së ëndrrave
u shuan yjet e syve të tu, Tahir.
Për ty hëna zbriti nga qielli,
duke mbledhur eshtrat me pahir.

Ti mes yjesh nga lart më vështron.
Zëri yt i qetë troket tani
nga Prejardhja e dashurisë fluturon
me Engjëjt e lirisë përsëri.

Mbi biografinë e pashkruar çahet qielli,
ti bërtet në Idil e vetmi
korijet nga trimëria jote meken
e ti pyet në shqip e anglisht:
Në cilin gjeth e kam vdekjen?

Vdekjejeta varur në rrezet e diellit,
zbut përjetësinë e heshtjes së qiellit,
mbushur me detin bosh të territ,
që grabit drithërimën e yjeve
nga rrjedha e ujit në lirinë e pyjeve.

Tok me dhimbjen yjet
natën më dysh e ndanë,
e të fshehën hapësirave të qiellit,
që pavdekësinë shpërndajnë.

Ëndrra jote për pavarësinë e Kosovës
fluturoi lart në yllësi
shkëputur nga thonjtë e petkave të territ,
që u rrëzua Kroit të mbretit
e mbeti e lirë në përjetësi.

Samstag, 6. Juli 2013

Libra që duhet lexuar


„IDIL E VETMI“ NGA TAHIR DESKU

 Libri i tretë i poetit Tahir Desku „Idil e vetmi“ është mjaft i pasur për nga temat, motivet, idetë që trajton dhe për nga mënyra e artikulimit të tyre.

      Në qendër të preokupimeve të Deskut janë problemet ekzistencionale që e shqetsojnë njeriun në përgjithsi bashkë me poetin, probleme për të cilat autori mundohet të gjej zgjidhje brenda vetes dheçastet e vetmisë, duke e provuar edhe shijen e mungesës së mirkuptimit nga të tjerët. Prandaj, në poezinë e tij shfaqet zeri i protestës, zëri i dhembjes dhe shqetsimeve të mbyllura. Subjekti i poezisë, pothuajse në të gjitha rastet, identifikohet me fatin kolektiv, me krajata, traumat dhe shqetsimet që e rrethojnë botën e poetit. Kjo bën që poezia e këtij libri të jetë më përgjithsuese,më e hapur dhe konkrete në pëmbajtjën dhe formën e saj.

      Unifikimi me botën në subjektin poetik të Tahir Deskut, është unifikim i një bote të pasur ideoemocional me ngacmime të shumëta që ngrihen në planin ideoartistik dhe stilistik. Kësisoj, poezia e autorit pasqyron dukshëm frymën e kohës dhe është zëdhënëse e dëshirave dhe ëndrrave të njeriut . Bota në preokupimet e krijuesit na shfaqet e errët, e vrazhdë, e pamëshirshme, e rëndë dhe më shumë kërkesa e obligime. Sëkendejmi, pikllimi, vetmia, pritja shterojne durimin e autorit dhe natyrshen vjen kërkesa e tij për tu çliruar nga kthetrat e shfrenuara të jetës.

      Materia e gjallë e dashurisë, prirja për kapjen e momenteve meditative dhe refleksive, koloriti ideoemocional dhe ideoartistik, frekuentimi me universalen në parimin e përmbajtjes së botës objektive dhe të asaj subjektive, janë disa nga nga veçortë që i sjellin lexuesit kënaqësi estetike.

Haxhi Muhaxheri

Mittwoch, 19. Juni 2013

Ismet Krasniqi: Nga "Ora e Tahir Deskut"

 
(Nga libri “ Këndvështrime Kulturore” autor Ismet Krasniqi)
 
MANIFESTIMI I PARË  “ORA E TAHIR DESKUT”
(7 shtator 2009)

FJALA E KRYETARIT TË KOMUNËS,
Z. SOKOL BASHOTA,
ME RASTIN E MANIFESTIMIT KULTUROR
 “ORA E TAHIR DESKUT”

E nderuara familje Desku, të nderuar dashamirë të fjalës së shkruar, pjesëmarrës të nderuar, miq të librit e të Shkrimtarit Tahir Desku,
Në emër të pushtetit lokal të Komunës së Klinës dhe në emrin tim personal ju s...
hprehi falënderimin më të sinqertë për pjesëmarrje në këtë Manifestim letrar për luftëtarin e lirisë dhe të penës, Shkrimtarin Tahir Desku.
Shkrimtari dhe luftëtari i lirisë së Kosovës, Tahir Desku i takonte publikut shqiptar dhe për t’i bërë homazh jetës dhe veprës së tij, është një borxh ky i merituar.
Po ashtu, ky homazh letrar për poetin dhe luftëtarin e lirisë Tahir Deskun, është shprehje e ndjenjës së respektit që kemi për vlerat tona letrare dhe ato luftarake.
Duke u mbështetur në këto vlera, po ashtu, edhe me qëllim të hulumtimit dhe promovimit të vlerave letrare, krijimtarisë poetik dhe zbulimit të talenteve të reja, jo vetëm për Komunën e Klinës, por edhe më gjerë, gjithashtu, njëherësh bazuar në nenin 17, nën pikën r, të Ligjit të Vetëqeverisjes lokale, numër 03/L-040 dhe neni 46 të Statutit të Komunës së Klinës, me preferencën e KPF-së, të datës 14.7.2009, Kuvendi i Komunës së Klinës, në seancën e VII-të të radhës, të mbajtur, më 28.7.2009, mori vendim për themelimin e Manifestimit letrar tradicional letrar “Ora e Tahir Deskut. Ky manifestim letrar, i cili do të ketë karakter tradicional dhe kombëtar, do të mbahet për çdo vit më 7 shtator, me rastin e ditëlindjes së këtij shkrimtari të shquar. Po ashtu, Kryetari i Komunës do ta ketë nderin që të jetë patron i kësaj ngjarjeje të rëndësishme kulturore e letrare.
Ky akt yni, është shprehje e përkrahjes institucionale që ka kultura në Komunën tonë, si segment shumë i rëndësishëm i shoqërisë. Kjo përkrahje nuk do të mungojë as në të ardhmen, sepse kultura dhe letërsia janë portretet më autentike të një kombi. Nëpërmjet shkrimtarëve dhe traditave tona kulturore, jemi realizuar si komb në zhvillimet e përgjithshme kulturore në Evropë dhe në botë.
Të nderuar të pranishëm, për shumë njerëz të penës, ideali për lirinë e popullit të tij ka qenë ndjenjë e mbëltuar në shpirtin e tyre, në mesin e të cilëve është edhe poeti dhe reporteri i luftës së UÇK-së, Tahir Desku, emrin e të cilit me homazhe poetike po e përkujtojmë sot me pietet.
Tahir Desku i takon një plejade të shkëlqyer të krijuesve letrarë, për të cilët liria dhe atdhedashuria ishin kryefrymëzim dhe kryeideal në jetë dhe në vepër. Janë vargjet e kësaj plejade krijuesish që u bënë zgjim i vetëdijes së gjeneratave të rinisë së shëndoshë të popullit tonë, e cila po bënte punë dhe luftë për të aguar mëngjesi i lirisë kombëtare.
Tahir Desku, për të cilin më mirë do të flasin miqtë e tij krijues, është një prej poetëve më pranë shpirtrave njerëzorë në poezinë shqipe bashkëkohore. Poezia e tij ka një thellësi të humnershme, poezi e botës së njeriut.
Lufta e popullit shqiptar nëpër shekuj, po ashtu edhe lufta e fundit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfaqëson njërën nga faqet më të ndritshme të historisë sonë kombëtare.
Qysh në orët e hershme të Luftës së UÇK-së, kur zëri i atdheut kërkoi që t’i dilet në ndihmë, këtij zëri me plot ndërgjegje iu përgjigj edhe shkrimtari Tahir Desku, duke kryer një nga misionet më të rëndësishëm të luftës, misionin e reporterit, i cili u bë zëdhënës besnik i kësaj lufte çlirimtare.
Ky, ishte edhe akti më i madhërishëm që e fuqizon portretin e këtij krijuesi dhe luftëtari të denjë të lirisë e të pavarësisë së Kosovës.
Emri i tij do të mbetët në kujtesën e këtij populli, për fuqinë e tij krijuese dhe fuqinë e tij shpirtërore që ishte simbiozë e dheut të Kosovës.
Njerëzit e tillë vërtet janë të madhërishëm, ashtu siç është edhe vetë vepra e Tahirit.

 Klinë, 7 shtator 2009
Kryetari i Komunës,
Sokol Bashota
 

 Sejdi BERISHA:

TAKIMET “ORA E TAHIR DESKUT”
 DO TË JENË EDHE NJË THEMEL I ZHVILLIMIT
TË VLERAVE SHPIRTËRORE DHE KULTURORE

Miq të nderuar,
Me këto takime kulturore, letrare mbase, para se gjithash të vlerave shpirtërore dhe kombëtare, po e hapim edhe një kapitull të ri, për të kujtuar dhe respektuar kontributin dhe ndijimet që u dha vulë Tahir Desku përmes vargut dhe zërit të tij, por, për të vënë edhe një gur të fortë në themelin e mirëfilltë të vlerave kulturore që kultivohen në këtë trevë e në këtë komunë, e cila, edhe pse e vogël, ajo me aktivitete të duarnduarta, tani e sa decenie dëshmoi se është qendër me rëndësi, prej nga burojnë gjërat e çmueshme në të gjitha fushat kulturore, të cilat janë shndërruar në ambasador të kësaj ane e cila tanimë ka me çfarë të mburret, ashtu siç mburret me shumë krijues, shkrimtarë, piktorë dhe artistë, të cilët veprojnë këtu dhe në shumë qendra të tjera të vendit.
Siç u theksua këtu, në njëfarë mënyre, Takimet letrare “Ora e Tahir Deskut”, ka për qëllim që të shërbejë si burim dhe gurrë nga e cila do të marrin hov e begatohen, por edhe do të hedhin shtat krijuesit e gjeneratave që vijnë e që do të vijnë. Për këtë, edhe Çmimi për veprën më të mirë, “Ora e Tahir Deskut”, synon që të lë gjurmë duke i vënë në spikamë e duke e shpërblyer punën dhe vlerat më të mira që realizohen këtu por edhe në mbarë trojet shqiptare. Gjithnjë për të mirë, ishim në dilemë se si t’i qasemi vlerësimit këtu për herë të parë. Dhe, ma thotë mendja e shpirti se ia kemi qëlluar, pasi që kemi menduar pastër, sinqerisht, përgjegjshëm dhe ndershëm për ta veçuar veprën e cila meriton të nis karvanin e vlerësimit të vlerave të mirëfillta letrare nëpër vite dhe decenie që do vijnë.
Edhe pse gjithnjë e përherë, sado përkushtueshëm, puna e jurisë është e rëndë, megjithatë, kujtoj se nuk kemi gabuar, që me Çmimin e sivjetmë dhe të parin “Ora e Tahir Deskut”, të nderohet shkrimtari dhe publicisti i kësaj treve, Prend Buzhala, krijimtaria e të cilit është pjesë e pandarë, cilësore dhe e nivelit që autorin e shquan përkrah vlerave në domenin dhe bekgrandin e përgjithshëm të majave të letërsisë kombëtare. Ky çmim, këtij shkrimtari të mirëfilltë, i jepet për librin “Kode poetike të mbijetesës shpirtërore” i cili sivjet u botua në Tiranë nga Argeta-LMG, e që ka të bëjë përkitazi me romanet për të rritur të shkrimtarit tonë, Anton Nikë Berisha.

Z. Sokol Bashota, kryetar i Komunës së Klinës, duke i ndarë çmimin Prend Buzhalës për veprën më të mirë të botuar.
Duke mos analizuar detalisht jetën dhe veprën e Prend Buzhalës, i cili njihet edhe si njeri i përkushtueshëm i kauzës kombëtare, për çfarë e kanë përcjellë, goditur por edhe kalitur shumë përplasje, maltretime dhe persekutime politike dhe të tjera dhe nga më të ndryshmet të shkaktuara nga okupatori, edhe pse e dini, dua tu njoftoj se ai ishte një krijues, shkrimtar dhe publicist, i cili ka dhënë dhe jep kontribut të veçantë, por edhe në mënyrën po ashtu të veçantë në fushën e kulturës, e në këtë rast të letërsisë, duke shprushur tema që hedhin dritë por edhe i begatojnë e madhështojnë vlerat kombëtare nëpër periudha, nëpër etapa e shekuj.
Këtu edhe qëndron e veçanta e këtij shkrimtari, kontributin dhe krijimtarinë e të cilit e shohim, e shijojmë dhe e vlerësojmë kudo në mjete të informimit por edhe të përjetësuar në libra e vepra të shumta.
Krijimtaria e tij shquhet në shumë fusha letrare, si në poezi, kritika, studime dhe vështrime, në prozë dhe publicistikë, për çfarë dëshmojnë veprat e tij: “O Amë, o Amë”(1995), “Për kë bie kambanë e re”(1998), “Shtatë seanca pranë Apokalipsit”(1998), pastaj “Metafora e vendlindjes” (1999), “Përqasje estetike” (2000), “Ex libris” (2003), “Shkrimtari pranë buzëqeshjes” (Studim monografik për letërsinë për fëmijë të Ali Huruglicës-2005), “Muza e zemrës” (2006), “Temë dhe tekst” (2006), “Aty ku krizat i besohen engjëllit” (Ndërkomunikime estetike-2008), “Res republika e shkrimtarit” (2008), pastaj romani “Moisiu fluturonte me Qerren e Zjarrtë” (2003) si dhe veprat nga fusha e publicistikës: “Lartësimi i lirisë” (Monografi për mësuesin dëshmor, Ismet Rrahmani-2002), “Testament letrar” (2008) dhe vepra “Kode poetike të mbijetesës shpirtërore” (2009).
Veprat e këtij krijuesi kudo dhe gjithherë kanë hasur dhe janë mirëpritur nga lexuesi, për çfarë edhe janë dhënë e shkruar komentime e vlerësime të veçanta. Sepse, vlera e veprave të tij ndërlidh dhe gërsheton nivelin, dritën dhe mesazhin jo vetëm letrar, por edhe të arritjeve të mëdha intelektuale dhe filozofike.

 Dy-tri fjalë për librin “Kode poetike të mbijetesës shpirtërore”

Kjo vepër e Prend Buzhalës, e cila bën fjalë përkitazi me romanet për të rritur të Anton Nikë Berishës, lexuesit i sjellë sublimen e mendimit të thellë dhe të kulluar të një krijuesi për krijimtarinë me vlerë të veçantë po ashtu të një krijuesi.
Duke folur për romanet dhe karakteristikat e tyre esteto-letrare të Anton Nikë Berishës, autori i kësaj vepre, përveç që analizon dhe shprush vlerat krijuese, ai, në mënyrë të veçantë sikur na imponon për të menduar por edhe për t’i çmuar “vlerat që s’kanë mort”, përmes së cilës gjë, Buzhala e vë dhe e nxjerr në spikamë si trajtesë tërë opusin krijues të Berishës, gjë e cila ka peshë shumëdimensionale në rrjedhat dhe vlerat krijuese përgjithësisht. Kjo vlerë dhe kjo peshë, qëndron lartë edhe në këtë vepër, e cila ka specifikën dhe, ndoshta edhe mëvetësinë e qenësisë krijuese të begatuar me sentencat më të spikatura të krijimtarisë së Anton Nikë Berishës.
Andaj, të gjitha këto veti krijuese të Buzhalës, ndërlidhen me të arriturat e veçanta të kësaj forme letrare, e cila, me të drejtë ka intriguar dhe provokuar edhe jurinë, që Çmimi i Takimeve të para “Ora e Tahir Deskut” t’i takojë autorit të kësaj vepre. Kujtoj se ky libër i Prend Buzhalës, fuqishëm dhe arsyeshëm korrespondon me vlerat e romaneve të Anton Nikë Berishës, por, të dyja këto së bashku, lezeqëm dhe kapshëm korrespondojnë edhe me lexuesin. Në këtë aspekt, padyshim se kjo vepër ka ndikim të plotë letrar dhe kulturor në opinion, bile edhe atëherë, kur shkrimi apo vepra ka karakter të leximit historik, pedagogjik apo edhe alegorik!
Për fund, dua t’ua përkujtoj një mendim të Gjorgj Orëell-it: “Të shkruash libër është gjë e tmerrshme, betejë rraskapitëse, si një krizë e gjatë e ndonjë sëmundjeje dhembjetherrëse”. Pra, vlerat shpirtërore e kanë peshën dhe përgjegjësinë e përjetësisë, e kanë nevojën e disiplinës dhe të sinqeritetit profesional krijues. E, me të gjitha këto, kujtoj se disponon libri i Prend Buzhalës., theksoi shkrimtari dhe publicisti, Sejdi Berisha.
Ju faleminderit.
Sejdi BERISHA
Klinë, e hënë 07 shtator 2009/11:00

 Sejdi BERISHA:

UJËVARË STINËSH

Ti, ujëvarë
Histori shekujsh
Gurgullimë e freski jete
Bukuri e kujtim i hidhur
Sa uji nga ti ka rënë
Në përroin dhe lumin e jetës
Dhe, asnjëherë nuk ke treguar
As për dashurinë
As për urrejtjen
As për mashtrimin
As për tradhtinë
Por as për ëndrrat rinore
As për vuajtjet e shkëmbit
As për barrën e tokës
As për shuarjen e etjes
As për shkrumbin e shpirtit
Çdo gjë roman kënge e ke bërë
Kurrë dhe asnjëherë nuk u moshove

Të pyes
A më njeh tash në këtë kohë
Nëse s’më ke harruar
Jam ai çunaku
Që ujin ta pija për ëndrra të mira
Jam ai i riu
Që me bukurinë tënde
Këngën përrallore e thurja
Jam ai që të rrëfeja për shkrumbin
E ti më lazdroheshe me freskinë
Por sikur kurrë nuk më kuptove
Megjithatë
Tani erdha prapë tek Ti
Sepse kam mall për Ty

Po, më thuaj diçka
Së paku më qorto
Për atë flakën që ta ofroja
Për t’ma shuar
Apo bjeshkë për t’ma bërë
Për atë këngën e nënës
Të kujtohet
Për qumështin e gjirit
Me të cilin asnjëherë nuk u ngopa
E mban mend
Atëherë kur ta pata thënë
Fjalën e fjalës ime
Ti vetëm buzëqeshe
Nuk ma bëre mall as zërin e lutjes
Edhe pse në burim të burimit
Tash diçka paske gdhendur
Diçka paske shkruar në ujin
Që sertshëm bie nëpër Ty

Ti, ujëvarë e stinëve të pasosura
Ndale për një çast rrjedhën tënde
Në heshtje më thuaj
Se, a e mban mend
Fëmijërinë tonë të çuditshme
Rininë hujnike e kurrë të pajtuar
Të gjitha për kujtim t’i kam sjellë
E, Ti hesht
Se, ndoshta ke shumë për të thënë
Por, edhe diçka dua të pyes
A mund ta kthesh prapa
Gjithë atë ujë që e ke hedhur gjithandej
Çfarë tkurrje historike
Mendimi im
Mos u çudit
Sot erdha tek Ti
Me një tjetër mall
Me një tjetër pezëm
Ti, ujëvare shekujsh
Sot të kam trokitur në derë
Për lutjen e cila
Për asgjë nuk ka kuptim
Tani, kurrë nuk do të lus më
As për pleqërinë time të katandisur
As për rrugët dredharake
Por, thuami dëshirat tuaja të shkuara
Ujëvare stinësh
Të lutem
Vetëm harresën mos e përqafo
Mos i harro emrat
E gjithë atyre kalimtarëve
Që tek ti kanë pirë ujë
Që janë freskuar
Që kanë pushuar e kënduar
Që kanë vrarë e dashuruar
Që tek Ti kanë gënjyer
Por edhe kanë heshtur
Për historinë e stinëve
Për bukurinë e tokës
Për biografinë tënde
E cila vetëm rrjedh
Si loti i pakthyer
 

 KUMTESA

Hajdin Morina:

POEZI E NOVATORIZMIT
DHE E ANTIKONFORMIZMIT
 SHOQËROR E LETRAR

(Sprovë për vlerësim cilësor të veprimtarisë krijuese të shkrimtarit Tahir Desku. Kumtesë e lexuar në Manifestimin letrar tradicional “Ora e Tahir Deskut”, themeluar me vendim të Kuvendit komunal të Klinës, në korrik 2009, mbajtur më 7 shtator 2009, nën patronazhin e kryetarit të Komunës, z. Sokol Bashota. Juria e Manifestimit dha dy çmime: çmimin për veprën më të mirë të vitit iu dha shkrimtarit dhe kritikut letrar Prend Buzhala për veprën kritike “Kode poetike të mbijetesës shpirtërore”, botuar këtë vit në Tiranë nga shtëpia botuese Argeta-LMG, kurse çmimi për poezinë më të mirë të lexuar në orën letrare iu dha poetit Sejdi Berisha për poezinë “Ujëvarë stinësh”. )
Shkrimtari Tahir Desku është njëri ndër emrat e njohur të letërsisë sonë në përgjithësi e veçanërisht të poezisë, e cila për të mbeti lloji letrar dhe mjeti i vetëm për të shprehur qëndrimet e veta si njeri dhe si poet, për të krijuar një art në shërbim të përsosjes estetike dhe në shërbim të mesazhit e të krijimit të një katarze shpirtërore që mundohet ta bëjë letërsia tash e mijëra vjet.
Tahir Desku me shkrime letrare filloi të merrej qysh si nxënës, kurse veprat letrare filloi t’i botonte në fillim të viteve ’80, pra ai është përfaqësues i një brezi letrar që këmbëngulte për krijimin e një poezie ku do të vërehej qartë novatorizmi, origjinaliteti, një përkushtim më i madh ndaj teknikave të krijimit të vargjeve dhe një interesim e përkushtim ndaj temave të reja, disa prej të cilave deri më tash kishin qenë në margjina të interesimeve të krijuesve. Tahiri botoi këto vepra poetike: Prejardhja e dashurisë (1982), Nga biografia e pashkruar (1984), Idil e vetmi (1989), Engjëjt e lirisë (2000), Në cilin gjeth e kam vdekjen (2006, post mortum), botuar nga LSHK-ja. Një libër poetik i është përkthyer në gjuhën angleze nga Fadil Bajraj.

 Tahir Desku, duke i shërbyer me përkushtimin më të madh Letërsisë dhe Kombit, la pas vetes vepra të rëndësishme letrare, por me përmasa po aq të larta krijoi edhe veprën njerëzore, kulturore, atdhetare e luftarake-vepra këto që po ashtu mund të lexohen sikur poezia e tij, duke shtuar vlerat e personalitetit të tij që reflektonte në forma të ndryshme projektimin për thyerjen e vetmisë, për krijimin e hapësirave të lirisë njerëzore e kombëtare. Antikonformizmi ishte një vlerë tjetër e rrallë e njeriut dhe shkrimtarit Tahir Desku.
Pjesëmarrja në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës paraqet një tjetër kapitull të rëndësishëm në biografinë e Tahir Deskut. Puna e vështirë e reporterit të luftës, heroizmi i bashkëluftëtarëve, rëniet për liri e frymëzuan për krijime të realizuara letrare dhe lanë gjurmë të pashlyeshme e të dhimbshme në shpirtin e ndjeshëm të poetit. Ndër biseda me miq vazhdimisht thoshte e përsëriste se koha e luftës ishte për të pjesa më e dashur e jetës, më e shtrenjta, më e bukura, më e paprekshmja dhe më e dhimbshmja vlerë në shërbim të lirisë së Kosovës. Këtë të vërtetë e skaliti bukur në veprën e një përmase të rrallë estetike “Engjëjt e lirisë” ku si në një teatër antik ndihet dhe përjetohet atmosfera e luftës, ideali i lirisë dhe madhështia e ushtarëve dhe komandantëve të UÇK-së. Si kryefjalë e të gjitha vjershave në libër, si poezi programatike qëndron në ballë të veprës poezia “Baladë”, shumë mirë e realizuar artistikisht, kushtuar Komandantit Mujë Krasniqi dhe 36 dëshmorëve që ranë për liri në Gorozhup të Prizrenit, më 14 dhjetor 1998.
Vepra “Engjëjt e lirisë” do të mbetet njëra nga veprat kryesore të poezisë moderne shqipe, jo vetëm për objektin e frymëzimit dhe për personazhet e veçanta të saj, por edhe për mënyrën e realizimit ideor e estetik, për laryshmërinë e mjeteve të shprehjes, për dendësinë e mendimit, për shprehjen elokuente dhe eliptike. Në këtë vepër autori ka vendosur ngjarje të përjetuara nga lufta çlirimtare e UÇK-së, skena të triumfalitetit të komandantëve dhe të ushtarëve të saj, emra dëshmorësh dhe heronjsh të gjallë që ndërtojnë peizazhin e luftës, krenarinë, dhimbjen dhe shpresën për fitore. Përpos kësaj, autori ka gdhendur edhe idealin e tij jetësor, entuziazmin që është ndërmjet luftëtarëve të lirisë, krenarinë që në luftën e atdheut të vet për liri është pjesë e asaj lufte, prandaj edhe vdekjen e pret qetë, aty pranë një guri, aty pranë një lisi. Është një heroizëm jetësor dhe një heroizëm estetik që i japin madhështi fjalës, luftës dhe lirisë.
Subjekti lirik i poezisë së Tahir Deskut është njeriu ynë i trazuar, që është vazhdimisht në kërkim të plotënisë së identitetit dhe të dinjitetit të tij njerëzor e kombëtar.Ky njeri është përherë i revoltuar, në kërkim të krijimit dhe të zgjerimit të hapësirave të lirisë.
Antikonformizmi i njeriut dhe poetit Tahir Desku reflektohet edhe në krijimtarinë e tij letrare, në mënyrën e shkrimit dhe të meditimit estetik. Në asnjë vepër, pothuajse në asnjë poezi të tij nuk u bë rob i uniformizmit, i propagandimit, i kallëpeve dhe i klisheve që patën shoqëruar e dëmtuar procesin e zhvillimit të poezisë shqipe, kur më shumë e kur më pak, duke ngushtuar tematikën dhe fondin e mjeteve të shprehjes, bashkë me moralizimet, patetizmin, retorizmin ose eksperimentizmin e panevojshëm, i cili nganjëherë promovonte një hermetizëm të panatyrshëm.
Fjalët shtëpi, dashuri, liri, Kosovë, Shqipëri janë disa nga fjalët kyçe në poezinë e Deskut, të cilat reflektojnë kuptime, emocione, ide e gjendje të ndryshme shpirtërore të subjektit lirik të kësaj poezie.
Në përgjithësi poezia e Tahir Deskut, qysh në fillimet e saj, paralajmëroi një zë të ri dhe të fuqishëm, një emër që këmbëngulte në përsosmërinë e vargut poetik dhe të mesazhit, në origjinalitetin e shprehjes dhe të krejt prosedeut krijues. Poezia e tij në shumë aspekte sjell elemente novatore në zgjerimin e tematikës dhe në interesimin e poetit ndaj njerëzve fatkeq, ndaj atyre që jetojnë në periferitë e jetës dhe të shoqërisë, shpeshherë të përbuzur dhe të anatemuar pa të drejtë.
Poeti Tahir Desku ishte njohës i thellë i traditës kulturore dhe letrare shqiptare, njohës i thellë i zhvillimeve, tendencave dhe novatorizmit letrar që kishin sjellë në letërsinë tonë emra të njohur si Kadareja, Agolli, Arapi Shkreli, Podrimja etj. Duke lënë të pashkëputshme fijet me traditën, Tahir Desku veprën dhe orientimin e tij letrar e vuri në shërbim të natyrës së vërtetë të artit letrar e jo në shërbim të qëllimeve të tjera jashtëletrare. Qëndroi larg përfshirjes së ideologjisë dhe partishmërisë në veprën letrare.
Tahir Desku është përfaqësues i brezit të shkrimtarëve të viteve ’80, të cilët duke asimiluar përvojën poetike të traditës, duke reflektuar herë pas here natyrshëm ndikimin nga brezi i njohur i shkrimtarëve të viteve ’60 që bënë kthesën më të madhe dhe më të diskutueshme në letërsinë shqiptare, veçanërisht në fushën e poezisë- pasuruan poetikën e poezisë sonë moderne në aspekte të një zgjerimi më të madh të gamës së interesimeve tematike, në aspekte të një lirie më të madhe metrike dhe të një gjuhe poetike që mëton të shlyejë kufirin ndërmjet zhanreve letrare, duke latuar një figuracion poetik të veshur me simbol, metaforë dhe ironi të përpunuar në një shkallë të lartë estetike, në shërbim të qëndrueshmërisë së tekstit dhe të nëntekstit, qoftë edhe atëherë kur poezia ndërtohet brenda një ligjërimi që nuk dallon shumë nga gjuha e komunikimit joletrar.
Shkrimtari Tahir Desku me veprimtarinë e vet krijuese, me trajtesat dhe debatet për letërsinë e afirmonte dhe e promovonte mendimin kritik, të cilin e kishte lanësuar në fillim të shekullit XX shkrimtari Faik Konica, sipas të cilit vepra letrare duhet të vlerësohet ndaras nga jeta e shkrimtarit, në bazë të kritereve estetike e jo në bazë të qëllimeve për të cilat shkruhet ajo.
Në asnjë vepër të Deskut, në asnjë poezi të tij nuk gjen elemente të krijimtarisë oborrtare. Në asnjë veprim dhe qëndrim të Tahir Deskut nuk gjen elemente të krijuesit oborrtar. Herët e ndjeu dhimbjen e popullit të vet dhe herët u vu në shërbim të lirisë së Atdheut, me të gjitha format e mundshme të betejave. Kohën që e jetoi, e mbijetoi dhe e përjetoi, mirë e skaliti në vargun poetik dhe në këtë drejtim u la brezave të lexuesve një testament estetik për ta njohur një kohë me të gjitha aktet e saj, me të gjitha personazhet, duke mos i harruar asnjëherë as ata që jetojnë margjinave të jetës, të ekonomisë e të shoqërisë, pra duke u solidarizuar në jetë e në krijimtari me të pastrehët, me të sëmurët, me të përbuzurit dhe me fëmijët që rriten më ngadalë për shkak se preokupohen me shqetësimet e të rriturve. Me jetën dhe me veprën e vet letrare Tahiri mbrujti dimensionet e njeriut e të krijuesit kryengritës dhe protestues, elemente këto që e kanë shoqëruar që në zanafillë intelektualin, shkrimtarin dhe letërsinë tonë, e cila shpesh, nëpër vorbullat e kohëve, e ka tjetërsuar vetveten për t’i shërbyer ndërgjegjes, vetëdijesimit, luftës dhe lirisë.
Duke folur për shkrimtarët, për mjeshtrit e fjalës ose për magjistarët e saj, historiani i njohur i letërsisë shqiptare, Jorgo Bulo, shkruan: “Ne ikim, ikim vazhdimisht, herë të entuziazmuar drejt së ardhmes, herë të trembur drejt humbjes, por ata, zotërit e fjalës, vijnë vazhdimisht drejt nesh, dhe na magjepsin me magjinë e verbit shqip, dhe na shkundin nga marrëzia e shkatërrimit të vlerave ose nga përtacia mendore e indiferencës ndaj tyre. Ata na bëjnë të realizohemi si njerëz të këtij trualli ku ka lindur, për të mos vdekur kurrë dhe për t’u ripërtëritur pafundësisht fuqia e perëndishme e fjalës shqipe”.
Poeti i madh kombëtar, Lasgush Poradeci, thotë se Kombin e bëjnë poetët. Në këtë kontekst, shkrimtari Tahir Desku në një intervistë dhënë shkrimtarit dhe publicistit Frrok Kristaj, për gazetën “Rilindja” të datës 20 janar 2001, tha: “...Poezia është dhembje e bukur...Atdheu, të cilit i mungojnë poetët, i mungon bukuria, ndërsa popullit të atij Atdheu i mungon dhembja”. I citova këto thënie lapidare të njerëzve të letrave për të argumentuar se ndër ata që kanë bërë punë e mund për ta bërë Kombin dhe Lirinë është edhe shkrimtari ynë Tahir Desku.



 ORGANIZIMI I MANIFESTIMIT KULTUROR-LETRAR
 “ORA E TAHIR DESKUT’, KLINE, 7 SHTATOR 2010

Manifestimi u mbajt nën patronatin e kryetarit të Komunës së Klinës, z. Sokol Bashota, të bazuar në vendimin 01 nr.12-3558/2009, Klinë,1.9.2009.
Rrjedha e punës së manifestimit letrar:
- Në ora 9,00, një delegacion i përbërë nga punëtor të kulturë në krye me drejtorin e DKRS z. Ahmet Krasniqin, vuan kurore lulesh të varri i Tahir Deskut në fshatin Siqevë.
Manifestimin letrar e shpalli të hapur drejtori i DKRS, z. Ahmet Krasniqi, i cili e ftoi kryetarin e KK të Klinës Z. Sokol Bashota për ta paraqitur një fjalë rasti.
Manifestimi vazhdoi me kumtesa mbi veprimtarinë krijuese të Tahir Deskut: kumtesat i lexuan: Prend Buzhala dhe Hajdin Morina.
-Ndarja e shpërblimit (Çmimit) për librin më të mirë të botuar kryetari i jurisë e fton kryetarin e Komunës z. Sokol Bashota për ta ndarë Çmimin.
Juria: Hajdin Morina-kryetar, Prend Buzhala, dhe Sejdi Berisha-anëtar, morën vendim Çmimi “Tahir Desku” t’i ndahet shkrimtarit, poetit nga Kuksi Petrit Palushit .
Çmimin e përcjell shuma e mjeteve materiale në vlerë prej 500 euro.

Pastaj vazhdoi pjesa e dytë e manifestimit.
- Ora letrare më shkrimtar nga Klina, Kosova dhe Shqipëria: poezitë e tyre i lexuan: Skënder Hoxha, Sejdi Berisha, Mikel Gojani, Ali R. Berisha, Mahir Morina, Agim Desku, Abdullah Zeneli Hasan Gjonbalaj, Ismet Krasniqi, Venera Maloku etj. Juria në përbërje: Halil Hagjosaj-kryetar, Hasan Gjonbalaj dhe Gjon Gjergjaj-anëtar morën vendim njëzëri Çmimi “Nga fondacioni Mëhill Velaj” në vlerë 200$ t’i ndahet poezisë së Abdullah Zenelit kushtuar Tahir Deskut. Çmimin për poezinë më të mirë e dorëzoi drejtori i DKRS z. Ahmet Krasniqi.


 ORA LETRARE "TAHIR DESKU"
Organizatorët e homazhit letrar “Ora e Tahir Deskut”, në nderim të figurës dhe veprës së shkrimtarit Tahir Desku, në pajtim me Kryetarin e Komunës, kanë themeluar Çmimin Letrar “Tahir Desku". Sipas kritereve të përcaktuara për dhënien e Çmimit Letrar “Tahir Desku", juria letrare, e propozuar nga Këshilli organizativ dhe i emëruar nga kryetari i Komunës, z. Sokol Bashota, punoi në këtë përbërje: Hajdin Morina – kryetar i jurisë, Ahmet Krasniqi – anëtar dhe Mikel Gojani – anëtar
Juria, edhe pse koha ishte e shkurtër për të sjellë vendimet e veta, zhvilloi disa takime intensive dhe realizoi një takim me Kryetarin e Komunës. Sipas propozimeve ku dominuan emra të shquar të letrave shqipe, Juria, nga kjo përbërje e krijuesve, duke pasur parasysh kriteret që përcaktojnë marrjen e këtij Çmimi, ku përcaktohet se Çmimi Letrar “Tahir Desku”, u jepet shkrimtarëve, të cilët kanë shënuar arritje të mëdha në fushën e letërsisë në të tri gjinitë (poezi, prozë, dramë), vendosi që fitues i këtij çmimi sivjet të jetë BEDRI HALIMI.

 Arsyetim:

BEDRI HALIMI është krijues letrar, poet, publicist dhe personalitet i shquar i letrave shqipe e i jetës publike shqiptare. Ai është njëri ndër personalitet e afirmuar të letërsisë së sotme shqipe. Qysh në moshë të re, i burgosur për shkak të veprimtarisë së tij atdhetare, ku për disa vjet qëndroi në burgjet famëkëqija të ish-Jugosllavisë, si të Prizrenit, Pejës, Zagrebit, Gospiqit, Pulës, Rjekës dhe Goli Otokut. Pas burgut, disa vite iu mohua e drejta e shkrimit dhe e arsimimit. Më 1986 arriti ta kryejë në Prishtinë shkollën e mesme drejtimi i Ekonomisë. Studioi blegtorinë në fakultetin e Bujqësisë. Ka zhvilluar edhe një varg aktivitetesh tjera si kryetar i KMDLNJ-së për komunën e Sharrit (një kohë ishte edhe anëtar i redaksisë së Buletinit të KMDLNJ-së në nivelin qendror, koordinator i këshillit të Pajtimit të gjaqeve për komunën e Sharrit. Më 1997 si pasojë e arrestimeve të shumta të pjesëtarëve të UÇK-së burgoset dhe torturohet rëndë, ku pastaj për një kohë të gjatë qëndron në spital. Edhe përkundër kësaj, gjatë luftës sërish vazhdoi veprimtarinë në radhët e UÇK-së. Ka shkruar punime të shumta kulturore, letrare e shkencore, në revista të ndryshme në hapësirat shqiptare. Gjatë okupimit ka shkruar shpesh me pseudonime të ndryshme. Që nga viti 1991 drejton dhe boton revistën Sharri (revistë informativo – kulturore, artistike e shkencore opojane). Ka bashkëpunuar me të gjitha gazetat, kurse në gazetën Infopress si redaktor, në agjencinë e lajmeve Kosova Press si kryeredaktor. Aktualisht është zyrtar i lartë në Qeverinë e Kosovës (në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, si kryeinspektor).
Shkrimtari Bedri Halimi, shkruan pothuaj në të gjitha zhanret për të rritur, si dhe për fëmijë. Deri tani ka botuar disa libra letrare, publicistike e shkencore. Veprat e Halimit, si “Ditar Dardanie” (poezi për të rritur) 1992, “Plagë Shpirti” (poezi për të rritur) 1995, “Cubat fshehin Hënën” (poezi për të rritur) 1999, “Rugova - Ngritja dhe rënia” (libër publicistik) 2000, “Kafshët e botës sime” (poezi për fëmijë) 2001, “Qëndresa kombëtare në Opojë dhe dëshmorët e saj” (libër historik) 2002, përgatiti për botim librin “Haxhi Ymer Prizreni” 2006, “Kënga e lumit" etj., janë mirëpritur nga lexuesit, nga botuesit dhe nga kritika letrare kudo në hapësirën shqiptare dhe kanë gjetur jehonën e tyre në Kosovë dhe jashtë. Vepra e shkrimtarit Berdi Halimi ngërthen cilësi kuptimisht të pasura e vlera artistikisht të ngritura dhe përbën një kapitull të rëndësishëm në poezinë e sotme shqiptare. Ndërkaq poezia e tij, përbën një univers letrar kërkimesh tematike e motivore. Poeti Bedri Halimi asnjëherë s’pushoi së krijuari dhe së vepruari si poet dhe si atdhetar. Jeta e tij në esencë plotësisht përputhet me veprimtarinë e tij krijuese. Poezia e Halimit na del edhe si një poezi klithmë, që të drithëron, një poezi që të kreshpëron në ndërgjegje, në të cilën fund e krye dominon ideja e atdhetarizmës, ku sublimon ideali i lartë për një atdhe pa vija që ndan një organizëm, në të cilën shqiptari do të jetonte i tëri bashkë me dinjitet të pa nëpërkëmbur në tokën e tij të mohuar. Pra, vargjet që ndërtojnë poezitë e Halimit bartin në vete një mesazh të fuqishëm poetik dhe atdhetar. Kjo do të thotë se poezia e tij është një poezi e krijuar nga forca e tij origjinale krijuese. Poeti, Halimi, në këtë rast është një vrojtues i përkushtuar i asaj që ngjan në brengën e kombit të tij, të shtrënguar si asnjëherë më parë nga prangat e ndryshkura të mesjetës. Kjo e bën poetin më të shqetësuar, me këmbëngulës në kërkimin e rrugëve që të shpijnë kah liria e atdheut. Poeti i kthehet historisë, dhe të cilës i këndon me pietet; i rilind në vargje shumë nga bijtë e këtij kombi (shumicën ata të trevës nga vjen, opojarë), të cilët në luftën për çlirimin e atdheut bën më sublimen. Në letërsinë e Halimit spikaten shumë vlera ideore e artistike që i kemi hasur edhe te krijimtaria e të shkrimtarit të ndjerë Tahir Desku. Prandaj, ky çmim më së shumti i shkon për shtati krijimtarisë së këtij shkrimtari.

Klinë, 7 shtator 2011
 

Mittwoch, 5. Juni 2013

Rita Salihu: PAS KOHËS SATE TË TRISHTUESHME

Rita SALIHU

PAS KOHËS SATE TË TRISHTUESHME

Tahir Deskut 
 
Edhe pas kohës sate të trishtueshme
Hijet nuk hoqën dorë nga ndjekja
E dritës shekujve duke përtypur mashtrimin
Se mund t'i marin majat
E synimeve që na i le amanet
Deri ti nuk je në krye të rrugës
As në majën e majës së shpresës
Që të mbante vertikalisht para stuhisë

Ne shtegtomjë pa kalorës
Horizontet mbyllin kurorat
E ti si në balladë
Freskon trupin trurin

Duke ia vjedhë bukuritë Mirushes
Nuk di a buçet firishëm ujëvara

E mendimeve tua nëpër këngë
Apo Mirusha ngrihet peshë
kokën per t'ia shpëtuar lirisë

Lisat rreth e rreth tunden
Dhe qëndrojnë duke sviduar stuhitë

Në pelgje gjaku për të mos rënë
Çuditshëm rrënjët e shpresës
I ujit fresku i shikimeve tua
Që ia dhurove një vashe çastin e fundit

Së voni midis nesh
Pos dhëmbjes dhe mallit
Kanë mbetur dhe kujtimet për Ty
Që sfidohen rënd nga pesha e harresës

Boston, 2010

Donnerstag, 30. Mai 2013

Izet Abdyli: NJË POEZI KUSHTUAR TAHIR DESKUT

PARA ME SHFAQET KANJUSHË E VERDHË

(Tahir Deskut)

Sa here shoh imazhin tënd
Para me shfaqet libri Kanjushë e verdhë
Ato ditë marsi 1981
Rastësisht e gjeta te një shitës rruge
Pranë menzës së studentëve
Sa u gëzova unë
Më shumë u gëzove ti
Se Jusufin e kishim larg
Por Kanjushën e kishim pranë
Sa u çmallëm ahere me vargjet e tij                                                      

Aq po çmallem sot me kujtimin për ty

Ishte ditë marsi 1981 P.s. Ishte pra libri Kanjuishe e verdhe i Jusuf Gervallessi shkas qe une te njihem me 1981 me Tahir Deskun, une e kisha gjetur rastesisht dhe ai ma mori ne huazim per nja tri jave

Në kujtim të poetit e bohemit Tahir Desku

Një natë para se të vdiste “im atë”

Berat Armagedoni

Këtë burrë të thjeshtë në këtë fotografi,(...) besoj ta keni njohur. Është Tahir Desku, të cilin e njoha në fillim të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kur atëkohë vinte në shitoren e tim eti, Rasimit, të rrinte me të e të ngrehte ndonjë gllënjkë raki ose pinte ndonjë birrë, kurse unë u shërbeja. Ishte i mirëseardhur si në shtëpinë e vet në çdo kohë, sepse ishte i dashur, i sinqertë, shok i mirë edhe për të moshës së vet, por edhe për mua, që atë vit, kur shpërthej lufta në Kosovë, nuk i kisha më shumë se 14 vjet, ani pse isha më i gjatë se ai, edhe me peshë afër tij: 84 kilogramë.
E kujtoj Tahir Deskun shumë dhe gjithqysh. Takoheshim me të shumë shpesh, edhe në Cerovik, në fshatin tim të lindjes, por edhe në Tërdefc, fshat i Komunës së Drenasit, atëherë kur filloi ofensiva e serbëve dhe u shpërngulëm në këtë fshat, të gjithë banorët e fshatit Cerovik, duke kërkuar shpëtim. Kurse ai aty, prapë, përpos që raportonte për mediet e huaja e Televizionin e Prishtinës, shkruante poezi me motive të luftës e të dashurisë, shkonte edhe te shitorja e, siç e quante im Tahir pronarin e saj, “shitorja e Kalavekut”, pinte birra e raki me shokë të luftës e të paqes. Gjithherë, edhe kur pinte edhe sa ishte pa të, ishte i shyhretshëm, me plot humor e i dashur dhe kështu edhe i erdhi fundi i jetës: me fjalë të bukura e të mira, me këngë, me alkool e me dashuri për njerëz. Ndryshe bohem nuk bëhesh!
E çfarë më shtyri të shkruaj për “tim atë”, Tahirin?!
Ishte kjo fotografi, të cilën e pata bërë në një mëngjes menjëherë pas përfundimit të luftës në shitoren e babait tim, Rasimit, kur Tahiri atë mëngjes ishte duke e pirë një raki e, e cila fotografi më ra në dorë javën e tretë të muajit prill të vitit të sivjetmë. Përpos kësaj fotografie, ishte edhe një çast mjaft i ndjeshëm që më jepte material të shkruaj kur, një natë para se të vdiste, udhëtuam së bashku, nga shtëpia ime me veturën e tij Golf 2”, për në Prishtinë.
Ende e mbaj mend atë ditë të takimit me të në Prishtinë dhe atë natë kur u ndamë me të në shtëpinë time. Edhe lajmin e keq që mora të pasnesërmen nga babai im se: “Berat, a njeve najsen për Tahirin?!”. “Jo, babë”, ishte përgjigjja ime me gjysmë zëri nëpërmjet telefonit, që instinktivisht mendja kuptoi se i paska ndodhur ndonjë gjë e keqe. “Mbrëmë, (dmth., një natë pasi ndenjëm e udhëtuam bashkë me të për në Prishtinë), kish pas aksident e kish vdek”. Babai më ngushëlloi. E ngushëllova edhe unë. E mbylla telefonin me të dhe u ndjeva shumë keq. Ueee... Paska vdek “baba” Tahir?! Tahir Desku! Qysh more?! S’e kisha të lehtë ta pranoja këtë lajm kobzi, por lajmi për vdekjen e tij ishte, fatkeqësisht, i vërtetë. Ai kishte ndërruar jetë.
Në këtë përkujtim për të, kam për t’i kujtuar veçmas ditën dhe natën e parafundit të tij, në kohën sa ishim bashkë. Dhe ja se si u takuam në Prishtinë, se si dhe çfarë foli me profesor Agim Vincën atë ditë, se si dhe çfarë foli me babanë tim në telefon, si e lamë takimin në shtëpinë time, me kënd fliste në telefon sa ishte në shtëpinë time, me kënd u takuam pasi u nisëm për në Prishtinë, kush na qerasi, si na ndali policia, çfarë na tha etj.
Ishte 1 dhjetor. Një ditë më parë kisha mbrojtur, në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, në Degën e Letërsisë së Përgjithshme dhe Krahasimtare, temën e diplomës (bachelor). E pas diplomimit tim u dashke t’i kryeja edhe disa punë të papërgjegjshme të disa profesorëve të mi, të cilët nuk i kishin dërguar fletëparaqitjet e provimeve te referenti i degës ku studioja. Befasisht, në katin e dytë, aty afër Dekanatit, takohem me Tahir Deskun. “Ku je bir? Qysh te ka ‘baba’? A po mëson?” Ishte një varg i pyetjeve të Tahirit, të cilin, njëmend, e respektoja po sikurse ta kisha baba. I tregova se një ditë më parë e kam mbrojtur temën e diplomës. Ishte kureshtar ta dinte mentorin dhe titullin e temës. E informova edhe për mentor, edhe për titull dhe e ftova për kafe. Aty, po në korridor të këtij fakulteti e në këtë kat, kalimthi u takuam edhe me profesor Agim Vincën, për të cilin Tahiri kishte respekt shumë, aq sa edhe profesor Vinca për të. Pasi biseduam pak me të, Tahiri me shaka, duke i thënë se ky është im bir, ndërsa Vinca duke thënë edhe ai po të njëjtën gjë, se jo është i imi dhe duke më lavdëruar se ky është student i zgjuar, shkuam në ëmbëltoren “Edi 2”, pa profesor Agim Vincën, por as profesori nuk vonoi shumë dhe erdhi u ul me disa kolegë të vet të fakultetit përbri nesh. Ndërkohë, aty, në atë bodrum, pasi më pyeti për shokun e vet, babanë tim e për familjen time, Tahiri e mori në telefon babanë tim, Rasimin: “Alo! Qiky djali yt, a është i imi a i Agim Vincës? Ku e ka marr ajo gruaja jote?” Shpërtheu gazi. Qeshte Tahiri, qeshte Vinca përbri nesh. Qeshja edhe unë. Pasi e ndërpreu telefonatën me të, sa duke folur me Vincën, sa duke folur me mua, më tha se sonte po shkojmë po hamë darkë te Rasimi. E lamë të takohemi atje në orën 19.00, që unë të nisesha më herët, kurse ai të vinte në këtë kohë.
Pak para perëndimit të diellit të së martës mbërrita në shtëpi. Nëna kishte përgatitur një darkë të begatshme. Kishte pjekur mish mëzati dhe pulë, pite, dy fare, përgatitur sallatë, kos e plot ushqime të tjera. E gjithë familja, edhe ushqimet, prisnim Tahirin. E ai vinte, por vinte ngadalë. Ndalej, sigurisht, nga Prishtina deri në Cerovik, në ndonjë lokal të pinte ndonjë birrë. Ushqimet ftoheshin ngadalë, e Tahiri nxehej rrugës me alkool. E telefonoja herë pas here: “Bir, tuj ardh ‘baba’ asht”. Dhe, erdhi dikur, pasi ushqimet ishin ftohur. U ngjitëm lart në odë. Brenda ishte ngrohtë. Koftori ishte skuqur. Bubulonte. Tahiri u ul prapa tij. “Po shtrihem këtu”, - tha ai. Dhe derisa nisi të përshëndetej me babanë tim e nënën time, i cingëroi telefoni. “Babi, jam te një shok. Nuk vonohem shumë. A e ke nanën aty? Puthe për mu. Të do babi”, nga biseda që bëri në telefon kuptuam se ishte njëra nga bijat e tij. Menjëherë kërkoi izën: “U qova se po më thirr qika”. Derisa bëri të ngrihej e derisa në anën tjetër shtrohej sofra e vinin ushqimet në odë, babai im e kapi për krahu dhe e uli prapë në sfungjer. “Tybe s’u qove. Unë për ty e përgatita darkën. Ulu se të rreh Shefkija”, e kishte fjalën për gruan e vet, nënën time, e cila është shumë e zonja në përgatitjen e bukës; një kuzhiniere e shkëlqyeshme dhe e shpejtë. Por, pa kaluar as pesë minuta nga telefonata e parë, prapë e telefonoi njëra bijë, ajo më e vogla: “U nisa qika e babit, u nisa”.
U ngreh në këmbë: “Rasim Daka, bereqet Zoti të dashtë! Shumë faleminderit për këtë darkë e këtë pritje! Edhe ty Shefkijë të lumshin duart!”, falënderonte Tahiri, “po t’i as që ia nisi me hangër”, i thoshte babai im. “U ngiva me sy. Duhet mu qu se po më thirr qika”.
Tahiri ishte lodhur nga pija. Edhe pse vetë kishte ardhur me veturë nga Prishtina në shtëpinë time, vetëm nuk e la babai im të shkonte andej. Unë, edhe pse kisha ardhur për ta kaluar një javë në shtëpi, u nisa me të andej rreth orës 8.00: “Vetë nuk ke me shku, pra. Po ta jap Beratin me vete”. Dhe përpos meje, me vete nëna na dha edhe një pite, dy-tri copa djathë dhe pesë-gjashtë speca të ardhur. U përshëndetëm me familjen time dhe u nisëm për Prishtinë. Pa kaluar as dy kilometra nga shtëpia ime, Tahiri u ndal në Kijevë, kinse për ta takuar një shok të vetin, në restorantin e Bashkim Dërgutit.
Ishte natë. Errësirë. Unë e prisja në veturë, ndërsa ai kishte marrë një birrë për ta pirë. Dhe sa e prisja aty, pas më shumë se dhjetë minutave, erdhi kryetari i Komunës së Klinës, z. Sokol Bashota, me disa shokë të vet. Unë rrija në veturë dhe i shikoja ata brenda lokalit derisa pinin në restorant. Edhe pse Tahiri dilte herë-herë jashtë lokalit, duke më thënë se edhe pak e u nisëm, “bir”, kur Sokoli porositi edhe një rend pije, dola nga vetura e hyra edhe unë në restorant. “Ky djali jem po më ruan sonte. Ma ka dhënë Rasimi në përcjellje”, - tha Tahiri derisa i përshëndeta dorë për dore shokët e tij, të cilët qeshnin që Tahiri më thoshte “djali jem”.
Të qeshurat ishin të shpeshta dhe të mëdha. Ishte nata e fundit e Tahirit me ta dhe e imja me të. Duhej të argëtoheshim. Pasi u bëmë qejfli të gjithë, u shpërndamë. Sokoli i sugjeroi Tahirit të ma jepte veturën ta vozisja unë, se ishte lodhur nga pija, por ai nuk pranoi: “Më mirë voziti kur jam i pit sesa kur jam i çpit!” Derisa hipëm në vetura nuk iu nda askujt aty e qeshura prej goje. Sokoli ma bënte me kokë anash, që e kuptoja se më thoshte: “Rriji gati!”
Në veturë, përpos pites që kishte gatuar nëna ime, kishte edhe dy pite të tjera, të cilat nuk di se ku i kishte marrë. Kishte, po ashtu, edhe djathë dhe reçel. Ulësja përmbrapa ishte lagur. Vinte era speca. Derisa udhëtonim për në Prishtinë më pyeti: “A i ki dy-tri euro me vete?” Më shkoi mendja se do të blejë prapë birrë. “Po, ‘babë’, por boll ke pi sonte”. Kur erdhëm në fshatin Orllat e pasi u sigurua që i kishim dy-tri euro, u ndal te një kafe, në të cilën këndonin “pevaçicat” dhe shërbenin po ato. Edhe pse nuk kisha pirë alkool, isha lodhur më shumë se Tahiri, ndoshta që kishte kaluar mesnata e nuk isha mësuar të rrija nëpër lokale deri në atë kohë. Brenda kishte pak njerëz. Këndonte një “pevaçicë” përballë nesh, por nja 12-13 metra larg nesh. Këtë fjalë, “pevaçicë”, e mësova atë natë nga Tahiri. Pasi na erdhën birrat, të cilat na solli një “pevaçicë” tjetër, hynë në kafe edhe disa shokë të tij dhe të babait tim. Ishin të Açarevës, të cilët u ulën afër nesh. Ne i pimë birrat, por nuk kishim më para për të pirë. Në të vërtetë kisha, mirëpo atë natë e gënjeva ‘babën’ Tahir, se edhe kishte pirë shumë, edhe ishte bërë tepër vonë. Para të vetat nuk kishte. Veresi nuk bënte të pinte. Edhe shokët e tij të Açarevës derisa kishin ardhur në Orllat i kishin shpenzuar paratë. Si dukej, kishin ardhur me para të numëruara, vetëm për nga një birrë dhe për t’u kthyer nëpër shtëpitë e tyre prapë, pasi, edhe pse u kërkoi Tahiri edhe një birrë tjetër, nuk kishin për t’ia paguar.
I bëra edhe disa lutje të ngadalshme ‘babës’ Tahir që të ngrihemi, duke i thënë se vajza po të thërret prapë në telefon, se është bërë tepër vonë. Edhe shokët i sugjeruan të nisej për Prishtinë. Dhe u nisëm. Prapë veturën e ngiste Tahiri. Duke vozitur e lëshoi radion. Muzika nuk ishte e mirë. S’i pëlqeu as atij e as mua. E ndali radion dhe bashkë ia krisëm këngës “Kreshtat e Kosovës”. Ritmin e këngës më zërin që i kishte mbetur nuk mund ta përcillte, prandaj e ndërpremë edhe këngën, se “Kreshtat e Kosovës” donin zë të fortë, e Tahiri merrte frymë me vështirësi, edhe pse e mbante nganjëherë xhamin e dritares çel për t’u ngirë frymë, kurse unë isha lodhur për gjumë.
Për ta thyer heshtjen, Tahiri më tha: “Babën tanë e du shumë. Është i mirë, i dashur, i pasherrë. Edhe Sokoli është burrë i mirë. (E kishte fjalën për Sokol Bashotën). Komandant i pastër dhe trim. Po-në e ka po, jo-në jo”. Derisa i tha këto fjalë, te Kroi i Mbretit, aty ku një natë më pas ndërroi jetë, na ndali policia e nuk e la më të fliste për të. Ishte ora 2:00 e mëngjesit. “Mirëmbrëma! Patentë shoferin dhe lejen e qarkullimit të automjetit, ju lutem!” E si t’i gjente ato Tahiri e unë që për herë të parë kisha hipur në veturën e tij. I kërkoja unë, i kërkonte edhe ai, por s’i gjenim. Po të na kërkonte pite, djathë e speca do t’i jepnim, dokumentet s’i gjenim, as orbitat jo, për ta larguar erën e alkoolit. Edhe pse nuk ia dhamë dokumentet, të cilët ishin në veturë, por s’na binin në sy, polici na lejoi qarkullimin, duke na sugjeruar të kemi kujdes në vozitje, se edhe polici vuri re se Tahiri kishte pirë shumë.
Ashtu sikurse Tahiri që ishte lodhur, ishte lodhur edhe vetura. E ngiste me kujdes. Askund më shumë se 60, 70, 80 km/h. Madje, kur erdhëm te Zona Industriale në Prishtinë, ani pse nuk kishte asnjë veturë në asnjë kryq, Tahiri u ndal para semaforit derisa iu ndez drita e gjelbër për ta vazhduar rrugën. Në atëkohë e telefonoi edhe gruan, së cilës i tregoi se është në hyrje të Prishtinës. Më dërgoi deri te banesa në lagjen “Dardania”, pastaj u nis për te banesa e vet, krejt ngadalë. Tahirin atë natë e mërziste diçka. Nuk ndjehej mirë. Ai jetoi, pas asaj nate, edhe një ditë e një natë, kurse të pasnesërmen bashkë me babanë tim shkuam në varrimin e “tim ati” në Siqevë, ku ishin mbledhur shumë shokë të tij nga të gjitha anët e Kosovës. Kishte ardhur edhe profesor Agim Vinca, me të cilin ndamë dhembjen për Tahirin dhe ia dhamë lamtumirën e fundit: pushofsh i qetë, o bohem!

Mars 2012

Marrë nga FB

Montag, 27. Mai 2013

Xhemajl Rudi: NË MES ËNDRRËS


NË MES ËNDRRËS

 -Poetit te Lirise...Tahir Deskut...

Në mes endrres
është
nderprerja jote
e zerit tënd
e kenges se pathënë
e ndjenjes se lenduar
prej ushtari te fjales
te maleve te lirise
ku rridhte fitorja e pergjakur
ku pikonin ditet ne lotin e femijes
ne syte e nenave ku ngrihej qendresa
ne honin e qiellit si re te bardha
vijezonin mbi trishtim te muzgut te mbremjes
udheve te golgotes
dhimbje pikonin mengjeseve te rinjë
Ti poeti i zemres se dheut
i kenges te mbetur ne mes
i shpirtit qe pikon mallë
ne kujtimin per ty
si obelisk ne udhen e jetes
endrrat e tua qe marrin hapin tutje
pas vdekjes
pa ty
pikon si qiriri dhe ndrite ne muzgjet
në udhën e Lirise e të fjalës së pathënë
ku rri e heshtur si një pikëllim
te vese e ngrirë e syrit në këngën e zërit tënd