Donnerstag, 11. Juli 2013
Sabit Rrustemi: SHERRI I ASAJ ANDRRE
Sabit RRUSTEMI
SHERRI I ASAJ ANDRRE
(poetit dhe mikut tim, Tahir Deskut)
Nuk asht’ ma n’ Qendër a te Grandi
Besa as te Qafa aty te kandi
Kot e kërkoni te Koha kah Bagremi
E ka braktisur dhe atë lagje poeti
Thonë se ka ndreq diku nji shpi për veti
Mos e pritni as sonte shkoi n’ gjeti
Nuk besoj ta ket harru adresën
Symbyllas e di ku e ka t’hapun derën
Sekush e kish pa tue puthë qytetin
Nji pano me andrra qi nuk tresin
Pak pa u nis udhës përtej Drini
E kish fsheh flokësh nji gocë dukagjini
Prej burrave t’çartun Çiçavicës
Mos me hy n’atë kangë të Drenicës
I ri për plumb i vonë për mbret
Sherri i asaj andrre u ba poet
Sa vargje nxorri sa gota shtjerri
Kohën kohë qysh dashti e bjerri
Kur ju tek me pshty e pshtyni
Ku ia deshi pika e qejfit ai hyni
Ashtu si ishte krejt pa kërrname
Dekën sa herë e veshi n’pixhame
Pesë pare nuk i dha për qina
As kur mali u mbush martina
Gjeti prejardhjen e dashunisë
Kur rrënoi muret e vetmisë
Muzë ju banë engjujt e lirisë
Në çdo cep të Dardanisë
Vargu i mbiu i u ba vepër
Për me g’zue nji kohë tjetër
Tuj kalu nji mal mynxyra
Për m'i kesh përherë f’tyra
Tahir desku bash mem ngue
S’ka me nxanë kurrë në thue
As gjeth t’dekës s’ka me kërkue
Sall me lule ka m’u mlue
Se ashtu vetë ka dishrue
Nji jetë tanë ai ka knue
Për n’jat andërr qi ka andrrue
Me shu etjen tek ai krue
( 13 dhjetor 2011)
Dienstag, 9. Juli 2013
Halil Haxhosaj : METAFORË KOHE U BËRE
Halil Haxhosaj
METAFORË KOHE U BËRE
(Tahir Deskut)
Nuk më kujtohet asnjë ofshamë e jotja
Në orët letrare në amfiteatër në Prishtinë,
Në sallën solemne të pallatit në Gjakovë
Në Orën e Madhe të Mitingut të poezisë
Vetëm metaforë fitoreje dëshiroje
Të bëheshe në të gjitha seancat
Afshin e Dheut të Drenicës Dukagjinit
Të Kosovës e të Arbërisë e thithe
Duke gulçuar për rreze lirie
Tituj veprash e bëre jetën
Rrokje të tyre rropatjet e saj
Dashurinë për të kurrë s’e trete
Në secilën metaforë ndriçoi ylli
I rrezeve të larta të flijimit
Më tri shkronja UÇK në ballë
Në kraharor në zemër
Dheu i kësaj toka ta fali amshimin
Prehu i qetë e me krenari në të
Sepse e ke Medaljonin e përjetësisë
Metaforë kohe u bëre ...
METAFORË KOHE U BËRE
(Tahir Deskut)
Nuk më kujtohet asnjë ofshamë e jotja
Në orët letrare në amfiteatër në Prishtinë,
Në sallën solemne të pallatit në Gjakovë
Në Orën e Madhe të Mitingut të poezisë
Vetëm metaforë fitoreje dëshiroje
Të bëheshe në të gjitha seancat
Afshin e Dheut të Drenicës Dukagjinit
Të Kosovës e të Arbërisë e thithe
Duke gulçuar për rreze lirie
Tituj veprash e bëre jetën
Rrokje të tyre rropatjet e saj
Dashurinë për të kurrë s’e trete
Në secilën metaforë ndriçoi ylli
I rrezeve të larta të flijimit
Më tri shkronja UÇK në ballë
Në kraharor në zemër
Dheu i kësaj toka ta fali amshimin
Prehu i qetë e me krenari në të
Sepse e ke Medaljonin e përjetësisë
Metaforë kohe u bëre ...
Sonntag, 7. Juli 2013
Kozeta Zavalani: Pavdekësi
Kozeta Zavalani
Pavdekësi
Kushtuar poetit kosovar T.Desku.
Me lulemimozat çelëm të dy,
brymë yjesh mblodhëm bashkë
e me pasion thurrëm poezi,
ndaj k’të fillim marsi të kujtoj ty
me këngëvajet e rimave e vrimave
që të dhuruan përjetësi.
Ngarkuar me 55 trëndafila dielli,
si pasthirmat e tua mbi asfalt,
që gëlltiti heshtja atë natë
mbi lëkurën e ngrirë të asfaltit,
dhimbja ime për ty frymën ndal.
Në fashitjen e butësisë së ëndrrave
u shuan yjet e syve të tu, Tahir.
Për ty hëna zbriti nga qielli,
duke mbledhur eshtrat me pahir.
Ti mes yjesh nga lart më vështron.
Zëri yt i qetë troket tani
nga Prejardhja e dashurisë fluturon
me Engjëjt e lirisë përsëri.
Mbi biografinë e pashkruar çahet qielli,
ti bërtet në Idil e vetmi
korijet nga trimëria jote meken
e ti pyet në shqip e anglisht:
Në cilin gjeth e kam vdekjen?
Vdekjejeta varur në rrezet e diellit,
zbut përjetësinë e heshtjes së qiellit,
mbushur me detin bosh të territ,
që grabit drithërimën e yjeve
nga rrjedha e ujit në lirinë e pyjeve.
Tok me dhimbjen yjet
natën më dysh e ndanë,
e të fshehën hapësirave të qiellit,
që pavdekësinë shpërndajnë.
Ëndrra jote për pavarësinë e Kosovës
fluturoi lart në yllësi
shkëputur nga thonjtë e petkave të territ,
që u rrëzua Kroit të mbretit
e mbeti e lirë në përjetësi.
Samstag, 6. Juli 2013
Libra që duhet lexuar
„IDIL E VETMI“ NGA
TAHIR DESKU
Në
qendër të preokupimeve të Deskut janë problemet ekzistencionale që e shqetsojnë
njeriun në përgjithsi bashkë me poetin, probleme për të cilat autori mundohet
të gjej zgjidhje brenda vetes dhe në çastet e vetmisë,
duke e provuar edhe shijen e mungesës së mirkuptimit nga të tjerët. Prandaj, në
poezinë e tij shfaqet zeri i protestës, zëri i dhembjes dhe shqetsimeve të mbyllura.
Subjekti i poezisë, pothuajse në të gjitha rastet, identifikohet me fatin kolektiv,
me krajata, traumat dhe shqetsimet që e rrethojnë botën e poetit. Kjo bën që
poezia e këtij libri të jetë më përgjithsuese,më e hapur dhe konkrete në
pëmbajtjën dhe formën e saj.
Unifikimi me botën në subjektin
poetik të Tahir Deskut, është unifikim i një bote të pasur ideoemocional me ngacmime
të shumëta që ngrihen në planin ideoartistik dhe stilistik. Kësisoj, poezia e
autorit pasqyron dukshëm frymën e kohës dhe është zëdhënëse e dëshirave dhe
ëndrrave të njeriut . Bota në preokupimet e krijuesit na shfaqet e errët, e
vrazhdë, e pamëshirshme, e rëndë dhe më shumë kërkesa e obligime. Sëkendejmi, pikllimi,
vetmia, pritja shterojne durimin e autorit dhe natyrshen vjen kërkesa e tij për
tu çliruar nga kthetrat e shfrenuara të jetës.
Materia e gjallë e dashurisë,
prirja për kapjen e momenteve meditative dhe refleksive, koloriti ideoemocional
dhe ideoartistik, frekuentimi me universalen në parimin e përmbajtjes së botës
objektive dhe të asaj subjektive, janë disa nga nga veçortë që i sjellin
lexuesit kënaqësi estetike.
Haxhi Muhaxheri
Abonnieren
Posts (Atom)