Dienstag, 11. August 2020

Berat Dakaj: Një natë para se të vdiste “im atë”


Në kujtim të poetit e bohemit Tahir Desku

Një natë para se të vdiste “im atë”

Berat DAKAJ

Këtë burrë të thjeshtë në këtë fotografi, të cilën ia kam bërë unë, me këtë veshje të thjeshtë, besoj ta keni njohur. Është Tahir Desku, të cilin e njoha në fillim të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kur atëkohë vinte në shitoren e tim eti, Rasimit, të rrinte me të e të ngrehte ndonjë gllënjkë raki ose pinte ndonjë birrë, kurse unë u shërbeja. Ishte i mirëseardhur si në shtëpinë e vet në çdo kohë, sepse ishte i dashur, i sinqertë, shok i mirë edhe për të moshës së vet, por edhe për mua, që atë vit, kur shpërthej lufta në Kosovë, nuk i kisha më shumë se 14 vjet, ani pse isha më i gjatë se ai, edhe me peshë afër tij: 84 kilogramë.

E kujtoj Tahir Deskun shumë dhe gjithqysh. Takoheshim me të shumë shpesh, edhe në Cerovik, në fshatin tim të lindjes, por edhe në Tërdefc, fshat i Komunës së Drenasit, atëherë kur filloi ofensiva e serbëve dhe u shpërngulëm në këtë fshat, të gjithë banorët e fshatit Cerovik, duke kërkuar shpëtim. Kurse ai aty, prapë, përpos që raportonte për mediet e huaja e Televizionin e Prishtinës, shkruante poezi me motive të luftës e të dashurisë, shkonte edhe te shitorja e, siç e quante im Tahir pronarin e saj, “shitorja e Kalavekut”, pinte birra e raki me shokë të luftës e të paqes. Gjithherë, edhe kur pinte edhe sa ishte pa të, ishte i shyhretshëm, me plot humor e i dashur dhe kështu edhe i erdhi fundi i jetës: me fjalë të bukura e të mira, me këngë, me alkool e me dashuri për njerëz. Ndryshe bohem nuk bëhesh!

E çfarë më shtyri të shkruaj për “tim atë”, Tahirin?!

Ishte kjo fotografi, të cilën e pata bërë në një mëngjes menjëherë pas përfundimit të luftës në shitoren e babait tim, Rasimit, kur Tahiri atë mëngjes ishte duke e pirë një raki e, e cila fotografi më ra në dorë javën e tretë të muajit prill të vitit të sivjetmë. Përpos kësaj fotografie, ishte edhe një çast mjaft i ndjeshëm që më jepte material të shkruaj kur, një natë para se të vdiste, udhëtuam së bashku, nga shtëpia ime me veturën e tij Golf 2”, për në Prishtinë.

Ende e mbaj mend atë ditë të takimit me të në Prishtinë dhe atë natë kur u ndamë me të në shtëpinë time. Edhe lajmin e keq që mora të pasnesërmen nga babai im se: “Berat, a njeve najsen për Tahirin?!”. “Jo, babë”, ishte përgjigjja ime me gjysmë zëri nëpërmjet telefonit, që instinktivisht mendja kuptoi se i paska ndodhur ndonjë gjë e keqe. “Mbrëmë, (dmth., një natë pasi ndenjëm e udhëtuam bashkë me të për në Prishtinë), kish pas aksident e kish vdek”. Babai më ngushëlloi. E ngushëllova edhe unë. E mbylla telefonin me të dhe u ndjeva shumë keq. Ueee... Paska vdek “baba” Tahir?! Tahir Desku! Qysh more?! S’e kisha të lehtë ta pranoja këtë lajm kobzi, por lajmi për vdekjen e tij ishte, fatkeqësisht, i vërtetë. Ai kishte ndërruar jetë.

Në këtë përkujtim për të, kam për t’i kujtuar veçmas ditën dhe natën e parafundit të tij, në kohën sa ishim bashkë. Dhe ja se si u takuam në Prishtinë, se si dhe çfarë foli me profesor Agim Vincën atë ditë, se si dhe çfarë foli me babanë tim në telefon, si e lamë takimin në shtëpinë time, me kënd fliste në telefon sa ishte në shtëpinë time, me kënd u takuam pasi u nisëm për në Prishtinë, kush na qerasi, si na ndali policia, çfarë na tha etj.

Ishte 1 dhjetor. Një ditë më parë kisha mbrojtur, në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, në Degën e Letërsisë së Përgjithshme dhe Krahasimtare, temën e diplomës (bachelor). E pas diplomimit tim u dashke t’i kryeja edhe disa punë të papërgjegjshme të disa profesorëve të mi, të cilët nuk i kishin dërguar fletëparaqitjet e provimeve te referenti i degës ku studioja. Befasisht, në katin e dytë, aty afër Dekanatit, takohem me Tahir Deskun. “Ku je bir? Qysh te ka ‘baba’? A po mëson?” Ishte një varg i pyetjeve të Tahirit, të cilin, njëmend, e respektoja po sikurse ta kisha baba. I tregova se një ditë më parë e kam mbrojtur temën e diplomës. Ishte kureshtar ta dinte mentorin dhe titullin e temës. E informova edhe për mentor, edhe për titull dhe e ftova për kafe. Aty, po në korridor të këtij fakulteti e në këtë kat, kalimthi u takuam edhe me profesor Agim Vincën, për të cilin Tahiri kishte respekt shumë, aq sa edhe profesor Vinca për të. Pasi biseduam pak me të, Tahiri me shaka, duke i thënë se ky është im bir, ndërsa Vinca duke thënë edhe ai po të njëjtën gjë, se jo është i imi dhe duke më lavdëruar se ky është student i zgjuar, shkuam në ëmbëltoren “Edi 2”, pa profesor Agim Vincën, por as profesori nuk vonoi shumë dhe erdhi u ul me disa kolegë të vet të fakultetit përbri nesh. Ndërkohë, aty, në atë bodrum, pasi më pyeti për shokun e vet, babanë tim e për familjen time, Tahiri e mori në telefon babanë tim, Rasimin: “Alo! Qiky djali yt, a është i imi a i Agim Vincës? Ku e ka marr ajo gruaja jote?” Shpërtheu gazi. Qeshte Tahiri, qeshte Vinca përbri nesh. Qeshja edhe unë. Pasi e ndërpreu telefonatën me të, sa duke folur me Vincën, sa duke folur me mua, më tha se sonte po shkojmë po hamë darkë te Rasimi. E lamë të takohemi atje në orën 19.00, që unë të nisesha më herët, kurse ai të vinte në këtë kohë.

Pak para perëndimit të diellit të së martës mbërrita në shtëpi. Nëna kishte përgatitur një darkë të begatshme. Kishte pjekur mish mëzati dhe pulë, pite, dy fare, përgatitur sallatë, kos e plot ushqime të tjera. E gjithë familja, edhe ushqimet, prisnim Tahirin. E ai vinte, por vinte ngadalë. Ndalej, sigurisht, nga Prishtina deri në Cerovik, në ndonjë lokal të pinte ndonjë birrë. Ushqimet ftoheshin ngadalë, e Tahiri nxehej rrugës me alkool. E telefonoja herë pas here: “Bir, tuj ardh ‘baba’ asht”. Dhe, erdhi dikur, pasi ushqimet ishin ftohur. U ngjitëm lart në odë. Brenda ishte ngrohtë. Koftori ishte skuqur. Bubulonte. Tahiri u ul prapa tij. “Po shtrihem këtu”, - tha ai. Dhe derisa nisi të përshëndetej me babanë tim e nënën time, i cingëroi telefoni. “Babi, jam te një shok. Nuk vonohem shumë. A e ke nanën aty? Puthe për mu. Të do babi”, nga biseda që bëri në telefon kuptuam se ishte njëra nga bijat e tij. Menjëherë kërkoi izën: “U qova se po më thirr qika”. Derisa bëri të ngrihej e derisa në anën tjetër shtrohej sofra e vinin ushqimet në odë, babai im e kapi për krahu dhe e uli prapë në sfungjer. “Tybe s’u qove. Unë për ty e përgatita darkën. Ulu se të rreh Shefkija”, e kishte fjalën për gruan e vet, nënën time, e cila është shumë e zonja në përgatitjen e bukës; një kuzhiniere e shkëlqyeshme dhe e shpejtë. Por, pa kaluar as pesë minuta nga telefonata e parë, prapë e telefonoi njëra bijë, ajo më e vogla: “U nisa qika e babit, u nisa”.

U ngreh në këmbë: “Rasim Daka, bereqet Zoti të dashtë! Shumë faleminderit për këtë darkë e këtë pritje! Edhe ty Shefkijë të lumshin duart!”, falënderonte Tahiri, “po t’i as që ia nisi me hangër”, i thoshte babai im. “U ngiva me sy. Duhet mu qu se po më thirr qika”.

Tahiri ishte lodhur nga pija. Edhe pse vetë kishte ardhur me veturë nga Prishtina në shtëpinë time, vetëm nuk e la babai im të shkonte andej. Unë, edhe pse kisha ardhur për ta kaluar një javë në shtëpi, u nisa me të andej rreth orës 8.00: “Vetë nuk ke me shku, pra. Po ta jap Beratin me vete”. Dhe përpos meje, me vete nëna na dha edhe një pite, dy-tri copa djathë dhe pesë-gjashtë speca të ardhur. U përshëndetëm me familjen time dhe u nisëm për Prishtinë. Pa kaluar as dy kilometra nga shtëpia ime, Tahiri u ndal në Kijevë, kinse për ta takuar një shok të vetin, në restorantin e Bashkim Dërgutit.

Ishte natë. Errësirë. Unë e prisja në veturë, ndërsa ai kishte marrë një birrë për ta pirë. Dhe sa e prisja aty, pas më shumë se dhjetë minutave, erdhi kryetari i Komunës së Klinës, z. Sokol Bashota, me disa shokë të vet. Unë rrija në veturë dhe i shikoja ata brenda lokalit derisa pinin në restorant. Edhe pse Tahiri dilte herë-herë jashtë lokalit, duke më thënë se edhe pak e u nisëm, “bir”, kur Sokoli porositi edhe një rend pije, dola nga vetura e hyra edhe unë në restorant. “Ky djali jem po më ruan sonte. Ma ka dhënë Rasimi në përcjellje”, - tha Tahiri derisa i përshëndeta dorë për dore shokët e tij, të cilët qeshnin që Tahiri më thoshte “djali jem”.

Të qeshurat ishin të shpeshta dhe të mëdha. Ishte nata e fundit e Tahirit me ta dhe e imja me të. Duhej të argëtoheshim. Pasi u bëmë qejfli të gjithë, u shpërndamë. Sokoli i sugjeroi Tahirit të ma jepte veturën ta vozisja unë, se ishte lodhur nga pija, por ai nuk pranoi: “Më mirë voziti kur jam i pit sesa kur jam i çpit!” Derisa hipëm në vetura nuk iu nda askujt aty e qeshura prej goje. Sokoli ma bënte me kokë anash, që e kuptoja se më thoshte: “Rriji gati!”

Në veturë, përpos pites që kishte gatuar nëna ime, kishte edhe dy pite të tjera, të cilat nuk di se ku i kishte marrë. Kishte, po ashtu, edhe djathë dhe reçel. Ulësja përmbrapa ishte lagur. Vinte era speca. Derisa udhëtonim për në Prishtinë më pyeti: “A i ki dy-tri euro me vete?” Më shkoi mendja se do të blejë prapë birrë. “Po, ‘babë’, por boll ke pi sonte”. Kur erdhëm në fshatin Orllat e pasi u sigurua që i kishim dy-tri euro, u ndal te një kafe, në të cilën këndonin “pevaçicat” dhe shërbenin po ato. Edhe pse nuk kisha pirë alkool, isha lodhur më shumë se Tahiri, ndoshta që kishte kaluar mesnata e nuk isha mësuar të rrija nëpër lokale deri në atë kohë. Brenda kishte pak njerëz. Këndonte një “pevaçicë” përballë nesh, por nja 12-13 metra larg nesh. Këtë fjalë, “pevaçicë”, e mësova atë natë nga Tahiri. Pasi na erdhën birrat, të cilat na solli një “pevaçicë” tjetër, hynë në kafe edhe disa shokë të tij dhe të babait tim. Ishin të Açarevës, të cilët u ulën afër nesh. Ne i pimë birrat, por nuk kishim më para për të pirë. Në të vërtetë kisha, mirëpo atë natë e gënjeva ‘babën’ Tahir, se edhe kishte pirë shumë, edhe ishte bërë tepër vonë. Para të vetat nuk kishte. Veresi nuk bënte të pinte. Edhe shokët e tij të Açarevës derisa kishin ardhur në Orllat i kishin shpenzuar paratë. Si dukej, kishin ardhur me para të numëruara, vetëm për nga një birrë dhe për t’u kthyer nëpër shtëpitë e tyre prapë, pasi, edhe pse u kërkoi Tahiri edhe një birrë tjetër, nuk kishin për t’ia paguar.

I bëra edhe disa lutje të ngadalshme ‘babës’ Tahir që të ngrihemi, duke i thënë se vajza po të thërret prapë në telefon, se është bërë tepër vonë. Edhe shokët i sugjeruan të nisej për Prishtinë. Dhe u nisëm. Prapë veturën e ngiste Tahiri. Duke vozitur e lëshoi radion. Muzika nuk ishte e mirë. S’i pëlqeu as atij e as mua. E ndali radion dhe bashkë ia krisëm këngës “Kreshtat e Kosovës”. Ritmin e këngës më zërin që i kishte mbetur nuk mund ta përcillte, prandaj e ndërpremë edhe këngën, se “Kreshtat e Kosovës” donin zë të fortë, e Tahiri merrte frymë me vështirësi, edhe pse e mbante nganjëherë xhamin e dritares çel për t’u ngirë frymë, kurse unë isha lodhur për gjumë.

Për ta thyer heshtjen, Tahiri më tha: “Babën tanë e du shumë. Është i mirë, i dashur, i pasherrë. Edhe Sokoli është burrë i mirë. (E kishte fjalën për Sokol Bashotën). Komandant i pastër dhe trim. Po-në e ka po, jo-në jo”. Derisa i tha këto fjalë, te Kroi i Mbretit, aty ku një natë më pas ndërroi jetë, na ndali policia e nuk e la më të fliste për të. Ishte ora 2:00 e mëngjesit. “Mirëmbrëma! Patentë shoferin dhe lejen e qarkullimit të automjetit, ju lutem!” E si t’i gjente ato Tahiri e unë që për herë të parë kisha hipur në veturën e tij. I kërkoja unë, i kërkonte edhe ai, por s’i gjenim. Po të na kërkonte pite, djathë e speca do t’i jepnim, dokumentet s’i gjenim, as orbitat jo, për ta larguar erën e alkoolit. Edhe pse nuk ia dhamë dokumentet, të cilët ishin në veturë, por s’na binin në sy, polici na lejoi qarkullimin, duke na sugjeruar të kemi kujdes në vozitje, se edhe polici vuri se Tahiri kishte pirë shumë.

Ashtu sikurse Tahiri që ishte lodhur, ishte lodhur edhe vetura. E ngiste me kujdes. Askund më shumë se 60, 70, 80 km/h. Madje, kur erdhëm te Zona Industriale në Prishtinë, ani pse nuk kishte asnjë veturë në asnjë kryq, Tahiri u ndal para semaforit derisa iu ndez drita e gjelbër për ta vazhduar rrugën. Në atëkohë e telefonoi edhe gruan, së cilës i tregoi se është në hyrje të Prishtinës. Më dërgoi deri te banesa në lagjen “Dardania”, pastaj u nis për te banesa e vet, krejt ngadalë. Tahirin atë natë e mërziste diçka. Nuk ndjehej mirë. Ai jetoi, pas asaj nate, edhe një ditë e një natë, kurse të pasnesërmen bashkë me babanë tim shkuam në varrimin e “tim ati” në Siqevë, ku ishin mbledhur shumë shokë të tij nga të gjitha anët e Kosovës. Kishte ardhur edhe profesor Agim Vinca, me të cilin ndamë dhembjen për Tahirin dhe ia dhamë lamtumirën e fundit: pushofsh i qetë, o bohem!


Mittwoch, 3. Juli 2019

Haxhi Muhaxheri: ME GUR E GJUAJE DHE ZOTIN !


Haxhi Muhaxheri

ME GUR E GJUAJE DHE ZOTIN
(Mikut tim, poetit Tahir Desku)

Kot të erdha te shtëpi e re,
poet kokëkrisur!

Edhe prej varri paske ikur
t'i këndosh të bukurës Anitë,
vashës që s'u jepej as Perëndive.

Kurrë s'ke qenë i rehatshëm 
bre lum miku!

Sy njerëzve të hekurt lozje me zjarr
dhe kur qielli skuqej mbi Kosovë,
me gur e gjuaje edhe Zotin!

Ti, o dreq poet!

Dienstag, 9. September 2014

I gjallë midis të gjallëve

 
Poezi nga Rrahim Sadiku
 
I gjallë midis të gjallëve
(kujtimit të Tahir Deskut)
 
Kthyer pas aq vitesh nga kthetrat e ferrit
shkova në takimin e shkrimtarëve....

Aty sikur vdekjen e ferrin i panë së bashku,
sytë nuk shihnin,
fjalët nuk dlinin,
qeshjet ngrinë…
E Tahir Deskut i qeshi fytyra,
me vrull erdhi e më përqafoi:
“O, mirë se na erdhe burrë!
Mos na e vë re hutimin,
eja e ngrehim nga një gotë,
këtu, me vëllezër e motra rrethuar,
gëzohemi kur të shohim më të gjallë midis të gjallëve!”

Dienstag, 17. Dezember 2013

Engjëll I. Berisha - Jeta e tij ishte poezi


Tahir Desku “Në tërësi, jeta e tij ishte poezi e kohës”
 
Nga Engjëll I. Berisha
 
Tahiri ndonëse për shumë kënd bënte një jetë të çrregullt, sjelljet e tij, jeta që bënte dhe ai këngëtimi i tij kafeneve, ishte refleksim i kohës, apo më së miri mund të themi se ishte poezia që shkruhej nga çdo shqiptarë.
Tani, na duket ndryshe, edhe poezia, edhe sjellja e të gjithë neve, ngase jetojmë të lirë dhe mendojmë ndryshe. Por,
atëherë, Tahiri i dërgoi një letër varrit me një poezi “Letër varrit”, ku I thotë se, “Dua të jesh sa më i gjatë, e sa më i gjerë që të kem kah të sillem shlirë, të kem ku të pushoi”. Ai, nuk jetonte me vdekjen, përkundrazi, jepte frymë jete, bile më të hareshme nuk e spjegonte kushë, por, e shihte vdekjen se si sillej mbi ne. Dhe poezia ishte ajo që nxjerrte nga sytë tanë atë gjendjen që ndodheshim. Dhe, poeti Desku ishte ai që dinte ta lexonte më së miri këtë. Që dinte ta thoshte botërisht më së miri.
E bile, ka dhe një varg tjetër ku i dërgon letër vdekjes. Ai thotë, “S’mund të më marrësh me vehte, ngase më mungon frymëzimi”. Këtë vetëm poeti mund ta thoshte atëherë. Dhe, kur i erdhi frymëzimi, ai shkoi ku pëlciste baroti për ta mbrojtur popullin e vetë dhe për tu takuar me vdekjen. Si duket edhe këtu, nuk iu ka dorëzuar vdekjës. Ndërsa në një natë dhjetori, në ditët e Lirisë, vdekja ia kishte zënë moment frymëzimin si afër dhe iu kishte çfaqur për ta marrur. Dhe e mori. Ju garantoi se nëse ka reinkarnim të jetës, Tahiri, gjithnjë do të reinkarnohet vetëm si poetë.
Ka shumë njerëz që e njohën, bile, derisa ai jetoi jashtë Kosove, e shtrini vetveten edhe më largë, tek çdo shqiptarë. Dhe erdhi me një mori miqësh në kujtesë dhe në vargje të tijë. Të gjithë ata që e njohën kanë vetëm një emërim të tijë, - ai poeti, thonë.
Unë, derisa bëra një copë jetë me te, duke ndarë dhomën në Prishtinë, pastaj për kohë të gjatë edhe në shtëpinë time, mbaj mend se në secilin gjest që bënte, secilen levizje, edhe kur shante siq shahen miqtë, nxjerrte poetikë nga vetvetja. Mbase, unë si mik i afërt i tij, e shihja të tillë, pasi që të tillë si poetë edhe e njoha.
Lirinë, e jetojë prapë duke u ankuar. I thashë, Tahir të ka mbetur disketë e vjetër të ankohesh. Tani jemi në rrethana të reja, duhet ta ndërrosh. Joooo more më tha. Nëse nuk kam ditur si ta përshkruaj në poezi Lirinë, së paku e di si ta shohë. Dhe nuk po e shohë të tillë. Edhe ne, gjenerata e jonë, nuk do ta bëjmë Lirinë, nëse ne e sollëm atë. Do ta bëjnë, ata që po rriten në Liri”. Këto janë disa nga dialogjet tona, nga ato netë të gjata që kaluam pas lufte në Gjakovë.
Tahiri më kishte inatë pse nuk e pija alkoholin. Më thoshte, “gomar i vetmi je ti që mund të rrish me mua, e nuk e qon një gotë. Nuk e di si e shkruan ti poezinë. A të dhemb ndokund, apo ne nuk jemi asnjëherë esull, e nuk e dijmë kah vijnë e kah shkojne dhembjet”. Kjo është bohemia e tijë rrugëve të Prishtinës. Netëve të gjata deri në mëngjes, që e kishte inatë gjumin ngase i bëhej se nuk po jeton derisa flenë. Dhe kur zgjohej heret thoshte, “Një popull që nuk e shehë diellin duke lindur, kurrë s’do të përparojë”.
Nga Tahiri mësova si ta shkruaj të motivuar poezinë. Përderisa nga Teki Dërvishi, mësova në tërësi se çka është poezi dhe çka është ironi

Fatime Kulli - NË KËSHTJELLË TË LIRISË


 
Poezi nga Fatime Kulli

NË KËSHTJELLË TË LIRISË

(Kushtuar poetit Tahir Desku)

Mes ëndrrash e legjendash
mbahem fort pas pemës së identitetit,
mes gumëzhimash, krismash e të qara foshnjash
maleve të lashtë të Drenicës....


Në faqen e purpurt të historisë
përkund djepin,
muza shpirtërore
e poetit Tahir Desku nga Klina.

Në duar shtrëngoj ruzaret e Shën Mërisë
ku shndrijnë aureolat e “Engjëjve të lirisë”.
Në logun e përgjakur të luftës
rritej trimëria e fjalës...
Luftëtari dhe reporteri trim
me gjak qëndisi vargje për liri.

Shëtis nëpër ëndrra legjendash
mes drithërimash lotit...
Shshëëtt! Shpirti i tij oshtin
nën frymën e tokës Amë...

Tej në horizont shfaqet një kalë i bardhë,
ngarkuar me degë ulliri, vjen prej larg...
Hingëllima derdh tinguj mitik...

Shëtis nëpër ëndrra të gjelbra...
Malet e Drenicës
me zogjtë që shtegtojnë qiparisave të lirë,
duke kënduar këngën e përjetshme:
“ENGJUJT E LIRISË”!

Donnerstag, 11. Juli 2013

Sabit Rrustemi: SHERRI I ASAJ ANDRRE


Sabit RRUSTEMI

SHERRI I ASAJ ANDRRE
(poetit dhe mikut tim, Tahir Deskut)

Nuk asht’ ma n’ Qendër a te Grandi
Besa as te Qafa aty te kandi
Kot e kërkoni te Koha kah Bagremi
E ka braktisur dhe atë lagje poeti
Thonë se ka ndreq diku nji shpi për veti
Mos e pritni as sonte shkoi n’ gjeti
Nuk besoj ta ket harru adresën
Symbyllas e di ku e ka t’hapun derën

Sekush e kish pa tue puthë qytetin
Nji pano me andrra qi nuk tresin
Pak pa u nis udhës përtej Drini
E kish fsheh flokësh nji gocë dukagjini
Prej burrave t’çartun Çiçavicës
Mos me hy n’atë kangë të Drenicës
I ri për plumb i vonë për mbret
Sherri i asaj andrre u ba poet

Sa vargje nxorri sa gota shtjerri
Kohën kohë qysh dashti e bjerri
Kur ju tek me pshty e pshtyni
Ku ia deshi pika e qejfit ai hyni
Ashtu si ishte krejt pa kërrname
Dekën sa herë e veshi n’pixhame
Pesë pare nuk i dha për qina
As kur mali u mbush martina

Gjeti prejardhjen e dashunisë
Kur rrënoi muret e vetmisë
Muzë ju banë engjujt e lirisë
Në çdo cep të Dardanisë
Vargu i mbiu i u ba vepër
Për me g’zue nji kohë tjetër
Tuj kalu nji mal mynxyra
Për m'i kesh përherë f’tyra

Tahir desku bash mem ngue
S’ka me nxanë kurrë në thue
As gjeth t’dekës s’ka me kërkue
Sall me lule ka m’u mlue
Se ashtu vetë ka dishrue
Nji jetë tanë ai ka knue
Për n’jat andërr qi ka andrrue
Me shu etjen tek ai krue

( 13 dhjetor 2011)