Donnerstag, 11. Juli 2013

Sabit Rrustemi: SHERRI I ASAJ ANDRRE


Sabit RRUSTEMI

SHERRI I ASAJ ANDRRE
(poetit dhe mikut tim, Tahir Deskut)

Nuk asht’ ma n’ Qendër a te Grandi
Besa as te Qafa aty te kandi
Kot e kërkoni te Koha kah Bagremi
E ka braktisur dhe atë lagje poeti
Thonë se ka ndreq diku nji shpi për veti
Mos e pritni as sonte shkoi n’ gjeti
Nuk besoj ta ket harru adresën
Symbyllas e di ku e ka t’hapun derën

Sekush e kish pa tue puthë qytetin
Nji pano me andrra qi nuk tresin
Pak pa u nis udhës përtej Drini
E kish fsheh flokësh nji gocë dukagjini
Prej burrave t’çartun Çiçavicës
Mos me hy n’atë kangë të Drenicës
I ri për plumb i vonë për mbret
Sherri i asaj andrre u ba poet

Sa vargje nxorri sa gota shtjerri
Kohën kohë qysh dashti e bjerri
Kur ju tek me pshty e pshtyni
Ku ia deshi pika e qejfit ai hyni
Ashtu si ishte krejt pa kërrname
Dekën sa herë e veshi n’pixhame
Pesë pare nuk i dha për qina
As kur mali u mbush martina

Gjeti prejardhjen e dashunisë
Kur rrënoi muret e vetmisë
Muzë ju banë engjujt e lirisë
Në çdo cep të Dardanisë
Vargu i mbiu i u ba vepër
Për me g’zue nji kohë tjetër
Tuj kalu nji mal mynxyra
Për m'i kesh përherë f’tyra

Tahir desku bash mem ngue
S’ka me nxanë kurrë në thue
As gjeth t’dekës s’ka me kërkue
Sall me lule ka m’u mlue
Se ashtu vetë ka dishrue
Nji jetë tanë ai ka knue
Për n’jat andërr qi ka andrrue
Me shu etjen tek ai krue

( 13 dhjetor 2011)

Dienstag, 9. Juli 2013

Halil Haxhosaj : METAFORË KOHE U BËRE

 
Halil Haxhosaj

METAFORË KOHE U BËRE

(Tahir Deskut)

Nuk më kujtohet asnjë ofshamë e jotja
Në orët letrare në amfiteatër në Prishtinë,
Në sallën solemne të pallatit në Gjakovë
Në Orën e Madhe të Mitingut të poezisë 

Vetëm metaforë fitoreje dëshiroje
Të bëheshe në të gjitha seancat

Afshin e Dheut të Drenicës Dukagjinit
Të Kosovës e të Arbërisë e thithe
Duke gulçuar për rreze lirie

Tituj veprash e bëre jetën
Rrokje të tyre rropatjet e saj
Dashurinë për të kurrë s’e trete

Në secilën metaforë ndriçoi ylli
I rrezeve të larta të flijimit
Më tri shkronja UÇK në ballë
Në kraharor në zemër

Dheu i kësaj toka ta fali amshimin
Prehu i qetë e me krenari në të
Sepse e ke Medaljonin e përjetësisë

Metaforë kohe u bëre ...

Sonntag, 7. Juli 2013

Kozeta Zavalani: Pavdekësi


Kozeta Zavalani

Pavdekësi

Kushtuar poetit kosovar T.Desku.

Me lulemimozat çelëm të dy,

brymë yjesh mblodhëm bashkë
e me pasion thurrëm poezi,
ndaj k’të fillim marsi të kujtoj ty
me këngëvajet e rimave e vrimave
që të dhuruan përjetësi.

Ngarkuar me 55 trëndafila dielli,
si pasthirmat e tua mbi asfalt,
që gëlltiti heshtja atë natë
mbi lëkurën e ngrirë të asfaltit,
dhimbja ime për ty frymën ndal.

Në fashitjen e butësisë së ëndrrave
u shuan yjet e syve të tu, Tahir.
Për ty hëna zbriti nga qielli,
duke mbledhur eshtrat me pahir.

Ti mes yjesh nga lart më vështron.
Zëri yt i qetë troket tani
nga Prejardhja e dashurisë fluturon
me Engjëjt e lirisë përsëri.

Mbi biografinë e pashkruar çahet qielli,
ti bërtet në Idil e vetmi
korijet nga trimëria jote meken
e ti pyet në shqip e anglisht:
Në cilin gjeth e kam vdekjen?

Vdekjejeta varur në rrezet e diellit,
zbut përjetësinë e heshtjes së qiellit,
mbushur me detin bosh të territ,
që grabit drithërimën e yjeve
nga rrjedha e ujit në lirinë e pyjeve.

Tok me dhimbjen yjet
natën më dysh e ndanë,
e të fshehën hapësirave të qiellit,
që pavdekësinë shpërndajnë.

Ëndrra jote për pavarësinë e Kosovës
fluturoi lart në yllësi
shkëputur nga thonjtë e petkave të territ,
që u rrëzua Kroit të mbretit
e mbeti e lirë në përjetësi.

Samstag, 6. Juli 2013

Libra që duhet lexuar


„IDIL E VETMI“ NGA TAHIR DESKU

 Libri i tretë i poetit Tahir Desku „Idil e vetmi“ është mjaft i pasur për nga temat, motivet, idetë që trajton dhe për nga mënyra e artikulimit të tyre.

      Në qendër të preokupimeve të Deskut janë problemet ekzistencionale që e shqetsojnë njeriun në përgjithsi bashkë me poetin, probleme për të cilat autori mundohet të gjej zgjidhje brenda vetes dheçastet e vetmisë, duke e provuar edhe shijen e mungesës së mirkuptimit nga të tjerët. Prandaj, në poezinë e tij shfaqet zeri i protestës, zëri i dhembjes dhe shqetsimeve të mbyllura. Subjekti i poezisë, pothuajse në të gjitha rastet, identifikohet me fatin kolektiv, me krajata, traumat dhe shqetsimet që e rrethojnë botën e poetit. Kjo bën që poezia e këtij libri të jetë më përgjithsuese,më e hapur dhe konkrete në pëmbajtjën dhe formën e saj.

      Unifikimi me botën në subjektin poetik të Tahir Deskut, është unifikim i një bote të pasur ideoemocional me ngacmime të shumëta që ngrihen në planin ideoartistik dhe stilistik. Kësisoj, poezia e autorit pasqyron dukshëm frymën e kohës dhe është zëdhënëse e dëshirave dhe ëndrrave të njeriut . Bota në preokupimet e krijuesit na shfaqet e errët, e vrazhdë, e pamëshirshme, e rëndë dhe më shumë kërkesa e obligime. Sëkendejmi, pikllimi, vetmia, pritja shterojne durimin e autorit dhe natyrshen vjen kërkesa e tij për tu çliruar nga kthetrat e shfrenuara të jetës.

      Materia e gjallë e dashurisë, prirja për kapjen e momenteve meditative dhe refleksive, koloriti ideoemocional dhe ideoartistik, frekuentimi me universalen në parimin e përmbajtjes së botës objektive dhe të asaj subjektive, janë disa nga nga veçortë që i sjellin lexuesit kënaqësi estetike.

Haxhi Muhaxheri