Dienstag, 11. August 2020

Berat Dakaj: Një natë para se të vdiste “im atë”


Në kujtim të poetit e bohemit Tahir Desku

Një natë para se të vdiste “im atë”

Berat DAKAJ

Këtë burrë të thjeshtë në këtë fotografi, të cilën ia kam bërë unë, me këtë veshje të thjeshtë, besoj ta keni njohur. Është Tahir Desku, të cilin e njoha në fillim të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kur atëkohë vinte në shitoren e tim eti, Rasimit, të rrinte me të e të ngrehte ndonjë gllënjkë raki ose pinte ndonjë birrë, kurse unë u shërbeja. Ishte i mirëseardhur si në shtëpinë e vet në çdo kohë, sepse ishte i dashur, i sinqertë, shok i mirë edhe për të moshës së vet, por edhe për mua, që atë vit, kur shpërthej lufta në Kosovë, nuk i kisha më shumë se 14 vjet, ani pse isha më i gjatë se ai, edhe me peshë afër tij: 84 kilogramë.

E kujtoj Tahir Deskun shumë dhe gjithqysh. Takoheshim me të shumë shpesh, edhe në Cerovik, në fshatin tim të lindjes, por edhe në Tërdefc, fshat i Komunës së Drenasit, atëherë kur filloi ofensiva e serbëve dhe u shpërngulëm në këtë fshat, të gjithë banorët e fshatit Cerovik, duke kërkuar shpëtim. Kurse ai aty, prapë, përpos që raportonte për mediet e huaja e Televizionin e Prishtinës, shkruante poezi me motive të luftës e të dashurisë, shkonte edhe te shitorja e, siç e quante im Tahir pronarin e saj, “shitorja e Kalavekut”, pinte birra e raki me shokë të luftës e të paqes. Gjithherë, edhe kur pinte edhe sa ishte pa të, ishte i shyhretshëm, me plot humor e i dashur dhe kështu edhe i erdhi fundi i jetës: me fjalë të bukura e të mira, me këngë, me alkool e me dashuri për njerëz. Ndryshe bohem nuk bëhesh!

E çfarë më shtyri të shkruaj për “tim atë”, Tahirin?!

Ishte kjo fotografi, të cilën e pata bërë në një mëngjes menjëherë pas përfundimit të luftës në shitoren e babait tim, Rasimit, kur Tahiri atë mëngjes ishte duke e pirë një raki e, e cila fotografi më ra në dorë javën e tretë të muajit prill të vitit të sivjetmë. Përpos kësaj fotografie, ishte edhe një çast mjaft i ndjeshëm që më jepte material të shkruaj kur, një natë para se të vdiste, udhëtuam së bashku, nga shtëpia ime me veturën e tij Golf 2”, për në Prishtinë.

Ende e mbaj mend atë ditë të takimit me të në Prishtinë dhe atë natë kur u ndamë me të në shtëpinë time. Edhe lajmin e keq që mora të pasnesërmen nga babai im se: “Berat, a njeve najsen për Tahirin?!”. “Jo, babë”, ishte përgjigjja ime me gjysmë zëri nëpërmjet telefonit, që instinktivisht mendja kuptoi se i paska ndodhur ndonjë gjë e keqe. “Mbrëmë, (dmth., një natë pasi ndenjëm e udhëtuam bashkë me të për në Prishtinë), kish pas aksident e kish vdek”. Babai më ngushëlloi. E ngushëllova edhe unë. E mbylla telefonin me të dhe u ndjeva shumë keq. Ueee... Paska vdek “baba” Tahir?! Tahir Desku! Qysh more?! S’e kisha të lehtë ta pranoja këtë lajm kobzi, por lajmi për vdekjen e tij ishte, fatkeqësisht, i vërtetë. Ai kishte ndërruar jetë.

Në këtë përkujtim për të, kam për t’i kujtuar veçmas ditën dhe natën e parafundit të tij, në kohën sa ishim bashkë. Dhe ja se si u takuam në Prishtinë, se si dhe çfarë foli me profesor Agim Vincën atë ditë, se si dhe çfarë foli me babanë tim në telefon, si e lamë takimin në shtëpinë time, me kënd fliste në telefon sa ishte në shtëpinë time, me kënd u takuam pasi u nisëm për në Prishtinë, kush na qerasi, si na ndali policia, çfarë na tha etj.

Ishte 1 dhjetor. Një ditë më parë kisha mbrojtur, në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, në Degën e Letërsisë së Përgjithshme dhe Krahasimtare, temën e diplomës (bachelor). E pas diplomimit tim u dashke t’i kryeja edhe disa punë të papërgjegjshme të disa profesorëve të mi, të cilët nuk i kishin dërguar fletëparaqitjet e provimeve te referenti i degës ku studioja. Befasisht, në katin e dytë, aty afër Dekanatit, takohem me Tahir Deskun. “Ku je bir? Qysh te ka ‘baba’? A po mëson?” Ishte një varg i pyetjeve të Tahirit, të cilin, njëmend, e respektoja po sikurse ta kisha baba. I tregova se një ditë më parë e kam mbrojtur temën e diplomës. Ishte kureshtar ta dinte mentorin dhe titullin e temës. E informova edhe për mentor, edhe për titull dhe e ftova për kafe. Aty, po në korridor të këtij fakulteti e në këtë kat, kalimthi u takuam edhe me profesor Agim Vincën, për të cilin Tahiri kishte respekt shumë, aq sa edhe profesor Vinca për të. Pasi biseduam pak me të, Tahiri me shaka, duke i thënë se ky është im bir, ndërsa Vinca duke thënë edhe ai po të njëjtën gjë, se jo është i imi dhe duke më lavdëruar se ky është student i zgjuar, shkuam në ëmbëltoren “Edi 2”, pa profesor Agim Vincën, por as profesori nuk vonoi shumë dhe erdhi u ul me disa kolegë të vet të fakultetit përbri nesh. Ndërkohë, aty, në atë bodrum, pasi më pyeti për shokun e vet, babanë tim e për familjen time, Tahiri e mori në telefon babanë tim, Rasimin: “Alo! Qiky djali yt, a është i imi a i Agim Vincës? Ku e ka marr ajo gruaja jote?” Shpërtheu gazi. Qeshte Tahiri, qeshte Vinca përbri nesh. Qeshja edhe unë. Pasi e ndërpreu telefonatën me të, sa duke folur me Vincën, sa duke folur me mua, më tha se sonte po shkojmë po hamë darkë te Rasimi. E lamë të takohemi atje në orën 19.00, që unë të nisesha më herët, kurse ai të vinte në këtë kohë.

Pak para perëndimit të diellit të së martës mbërrita në shtëpi. Nëna kishte përgatitur një darkë të begatshme. Kishte pjekur mish mëzati dhe pulë, pite, dy fare, përgatitur sallatë, kos e plot ushqime të tjera. E gjithë familja, edhe ushqimet, prisnim Tahirin. E ai vinte, por vinte ngadalë. Ndalej, sigurisht, nga Prishtina deri në Cerovik, në ndonjë lokal të pinte ndonjë birrë. Ushqimet ftoheshin ngadalë, e Tahiri nxehej rrugës me alkool. E telefonoja herë pas here: “Bir, tuj ardh ‘baba’ asht”. Dhe, erdhi dikur, pasi ushqimet ishin ftohur. U ngjitëm lart në odë. Brenda ishte ngrohtë. Koftori ishte skuqur. Bubulonte. Tahiri u ul prapa tij. “Po shtrihem këtu”, - tha ai. Dhe derisa nisi të përshëndetej me babanë tim e nënën time, i cingëroi telefoni. “Babi, jam te një shok. Nuk vonohem shumë. A e ke nanën aty? Puthe për mu. Të do babi”, nga biseda që bëri në telefon kuptuam se ishte njëra nga bijat e tij. Menjëherë kërkoi izën: “U qova se po më thirr qika”. Derisa bëri të ngrihej e derisa në anën tjetër shtrohej sofra e vinin ushqimet në odë, babai im e kapi për krahu dhe e uli prapë në sfungjer. “Tybe s’u qove. Unë për ty e përgatita darkën. Ulu se të rreh Shefkija”, e kishte fjalën për gruan e vet, nënën time, e cila është shumë e zonja në përgatitjen e bukës; një kuzhiniere e shkëlqyeshme dhe e shpejtë. Por, pa kaluar as pesë minuta nga telefonata e parë, prapë e telefonoi njëra bijë, ajo më e vogla: “U nisa qika e babit, u nisa”.

U ngreh në këmbë: “Rasim Daka, bereqet Zoti të dashtë! Shumë faleminderit për këtë darkë e këtë pritje! Edhe ty Shefkijë të lumshin duart!”, falënderonte Tahiri, “po t’i as që ia nisi me hangër”, i thoshte babai im. “U ngiva me sy. Duhet mu qu se po më thirr qika”.

Tahiri ishte lodhur nga pija. Edhe pse vetë kishte ardhur me veturë nga Prishtina në shtëpinë time, vetëm nuk e la babai im të shkonte andej. Unë, edhe pse kisha ardhur për ta kaluar një javë në shtëpi, u nisa me të andej rreth orës 8.00: “Vetë nuk ke me shku, pra. Po ta jap Beratin me vete”. Dhe përpos meje, me vete nëna na dha edhe një pite, dy-tri copa djathë dhe pesë-gjashtë speca të ardhur. U përshëndetëm me familjen time dhe u nisëm për Prishtinë. Pa kaluar as dy kilometra nga shtëpia ime, Tahiri u ndal në Kijevë, kinse për ta takuar një shok të vetin, në restorantin e Bashkim Dërgutit.

Ishte natë. Errësirë. Unë e prisja në veturë, ndërsa ai kishte marrë një birrë për ta pirë. Dhe sa e prisja aty, pas më shumë se dhjetë minutave, erdhi kryetari i Komunës së Klinës, z. Sokol Bashota, me disa shokë të vet. Unë rrija në veturë dhe i shikoja ata brenda lokalit derisa pinin në restorant. Edhe pse Tahiri dilte herë-herë jashtë lokalit, duke më thënë se edhe pak e u nisëm, “bir”, kur Sokoli porositi edhe një rend pije, dola nga vetura e hyra edhe unë në restorant. “Ky djali jem po më ruan sonte. Ma ka dhënë Rasimi në përcjellje”, - tha Tahiri derisa i përshëndeta dorë për dore shokët e tij, të cilët qeshnin që Tahiri më thoshte “djali jem”.

Të qeshurat ishin të shpeshta dhe të mëdha. Ishte nata e fundit e Tahirit me ta dhe e imja me të. Duhej të argëtoheshim. Pasi u bëmë qejfli të gjithë, u shpërndamë. Sokoli i sugjeroi Tahirit të ma jepte veturën ta vozisja unë, se ishte lodhur nga pija, por ai nuk pranoi: “Më mirë voziti kur jam i pit sesa kur jam i çpit!” Derisa hipëm në vetura nuk iu nda askujt aty e qeshura prej goje. Sokoli ma bënte me kokë anash, që e kuptoja se më thoshte: “Rriji gati!”

Në veturë, përpos pites që kishte gatuar nëna ime, kishte edhe dy pite të tjera, të cilat nuk di se ku i kishte marrë. Kishte, po ashtu, edhe djathë dhe reçel. Ulësja përmbrapa ishte lagur. Vinte era speca. Derisa udhëtonim për në Prishtinë më pyeti: “A i ki dy-tri euro me vete?” Më shkoi mendja se do të blejë prapë birrë. “Po, ‘babë’, por boll ke pi sonte”. Kur erdhëm në fshatin Orllat e pasi u sigurua që i kishim dy-tri euro, u ndal te një kafe, në të cilën këndonin “pevaçicat” dhe shërbenin po ato. Edhe pse nuk kisha pirë alkool, isha lodhur më shumë se Tahiri, ndoshta që kishte kaluar mesnata e nuk isha mësuar të rrija nëpër lokale deri në atë kohë. Brenda kishte pak njerëz. Këndonte një “pevaçicë” përballë nesh, por nja 12-13 metra larg nesh. Këtë fjalë, “pevaçicë”, e mësova atë natë nga Tahiri. Pasi na erdhën birrat, të cilat na solli një “pevaçicë” tjetër, hynë në kafe edhe disa shokë të tij dhe të babait tim. Ishin të Açarevës, të cilët u ulën afër nesh. Ne i pimë birrat, por nuk kishim më para për të pirë. Në të vërtetë kisha, mirëpo atë natë e gënjeva ‘babën’ Tahir, se edhe kishte pirë shumë, edhe ishte bërë tepër vonë. Para të vetat nuk kishte. Veresi nuk bënte të pinte. Edhe shokët e tij të Açarevës derisa kishin ardhur në Orllat i kishin shpenzuar paratë. Si dukej, kishin ardhur me para të numëruara, vetëm për nga një birrë dhe për t’u kthyer nëpër shtëpitë e tyre prapë, pasi, edhe pse u kërkoi Tahiri edhe një birrë tjetër, nuk kishin për t’ia paguar.

I bëra edhe disa lutje të ngadalshme ‘babës’ Tahir që të ngrihemi, duke i thënë se vajza po të thërret prapë në telefon, se është bërë tepër vonë. Edhe shokët i sugjeruan të nisej për Prishtinë. Dhe u nisëm. Prapë veturën e ngiste Tahiri. Duke vozitur e lëshoi radion. Muzika nuk ishte e mirë. S’i pëlqeu as atij e as mua. E ndali radion dhe bashkë ia krisëm këngës “Kreshtat e Kosovës”. Ritmin e këngës më zërin që i kishte mbetur nuk mund ta përcillte, prandaj e ndërpremë edhe këngën, se “Kreshtat e Kosovës” donin zë të fortë, e Tahiri merrte frymë me vështirësi, edhe pse e mbante nganjëherë xhamin e dritares çel për t’u ngirë frymë, kurse unë isha lodhur për gjumë.

Për ta thyer heshtjen, Tahiri më tha: “Babën tanë e du shumë. Është i mirë, i dashur, i pasherrë. Edhe Sokoli është burrë i mirë. (E kishte fjalën për Sokol Bashotën). Komandant i pastër dhe trim. Po-në e ka po, jo-në jo”. Derisa i tha këto fjalë, te Kroi i Mbretit, aty ku një natë më pas ndërroi jetë, na ndali policia e nuk e la më të fliste për të. Ishte ora 2:00 e mëngjesit. “Mirëmbrëma! Patentë shoferin dhe lejen e qarkullimit të automjetit, ju lutem!” E si t’i gjente ato Tahiri e unë që për herë të parë kisha hipur në veturën e tij. I kërkoja unë, i kërkonte edhe ai, por s’i gjenim. Po të na kërkonte pite, djathë e speca do t’i jepnim, dokumentet s’i gjenim, as orbitat jo, për ta larguar erën e alkoolit. Edhe pse nuk ia dhamë dokumentet, të cilët ishin në veturë, por s’na binin në sy, polici na lejoi qarkullimin, duke na sugjeruar të kemi kujdes në vozitje, se edhe polici vuri se Tahiri kishte pirë shumë.

Ashtu sikurse Tahiri që ishte lodhur, ishte lodhur edhe vetura. E ngiste me kujdes. Askund më shumë se 60, 70, 80 km/h. Madje, kur erdhëm te Zona Industriale në Prishtinë, ani pse nuk kishte asnjë veturë në asnjë kryq, Tahiri u ndal para semaforit derisa iu ndez drita e gjelbër për ta vazhduar rrugën. Në atëkohë e telefonoi edhe gruan, së cilës i tregoi se është në hyrje të Prishtinës. Më dërgoi deri te banesa në lagjen “Dardania”, pastaj u nis për te banesa e vet, krejt ngadalë. Tahirin atë natë e mërziste diçka. Nuk ndjehej mirë. Ai jetoi, pas asaj nate, edhe një ditë e një natë, kurse të pasnesërmen bashkë me babanë tim shkuam në varrimin e “tim ati” në Siqevë, ku ishin mbledhur shumë shokë të tij nga të gjitha anët e Kosovës. Kishte ardhur edhe profesor Agim Vinca, me të cilin ndamë dhembjen për Tahirin dhe ia dhamë lamtumirën e fundit: pushofsh i qetë, o bohem!