Donnerstag, 9. September 2021

Hajdin Morina: DEKALOGU I TAHIRIT

Poeti Hajdin MORINA


DEKALOGU I TAHIRIT

(mikut tim Tahir Desku në vigjilje të 64-vjetorit të lindjes)

1.
Mosni bre!
mosni, njerëzit e mi,
unë vërtet piva raki,
është e vërtetë,
por unë nuk piva djersë.

2.
Mos thoni Tahiri pinte raki,
por thoni Tahiri bëri punë
të mos ishte Kosova burg.

3.
Thoni Tahiri bëri luftë
të kenë fëmijët diell e yje më shumë.

4.
Mos thoni bre
Tahir Desku pinte raki,
por thoni ka bërë poezi,

5.
Thoni Tahiri e ka shtruar tokën me dashuri
dhe qiellin e ka mbështjellë me poezi.

6.
Mos thoni ai pinte raki,
sepse unë ende e pi të shkretën lumë
kur lindim pak e vdesim shumë.

7.
Thoni Tahiri është atje lart,
vëlla i shqiponjave
në llogore në mal.

8.
Mos thoni se vdiqa në ndonjë dhjetor,
kur atdheu është pa borë
por thoni se një hënë e huaj më la pa sy
e nuk pashë asgjë, për besë,
as Kronin e Mbretit,
as gropën e lotëve të jeniçerit
dhe ende nuk e di a vdiqa kaq i ri.

9.
Mos thoni, bre, Tahir Desku nuk shkruan më,
sepse ua kam borxh shokëve të luftës
edhe një varg t’ri, edhe një këngë t’re.

10.
Mosni, të dashurit e mi, mosni o njerëz!
Të paktën, ti Drenica ime,
ti mos hesht