Tahiri i Artit,
Jetës dhe Luftës
Tahir Desku (1956-2005) më 3 dhjetor të vitit 2005
humbi jetën tragjikisht në një aksident trafiku. Ai njihet në shtresat e
lexuesve e të opinionit tonë në disa fusha të veprimtarisë së tij: si publicist
e gazetar shumëvjeçar gjatë viteve ’70 – ‘80 të shekullit që e lamë pas; si
poet i mirëfilltë i letërsisë së sotme shqipe dhe si reporter i luftës së
UÇK-së gjatë viteve 1998-1999, kur edhe vetë i kishte ngjeshur armët për liri.
Gjithsesi, kurdoherë që të shkruhen sinteza shkencore apo monografi që do t’iu
kushtohen këtyre trifushave: gazetarisë shqiptare, letërsisë shqipe dhe luftës
së fundit; që të tri këto fusha do t’ishin të varfra pa emrin e Tahit Deskut.
Poezinë kishte nisur ta shkruante e ta botonte si gjimnazist, kurse libra
poetikë nisi të botonte që në rini.
Prandaj, në hapësirat e Instituti Albanologjik të
Prishtinës u mblodhën qindra veta, për të përkujtuar njëvjetorin e vdekjes së
Tajhir Deskut, si dhe për të promovuar librin e posabotuar të poezive të poetit
të ndjerë, “Në cilin gjet e kam vdekjen”, nën përkujdesjen e Adem Gashit.
Folësit, si Ramadan Musliu, Miradije Ramiqi, Arben Atashi, Kasdrush Radogjoshi,
e vlerësuan poezinë dhe jetën e Tahirit, si krejt të veçantë: bohemi poetike,
poet që ka sistemin e tij poetik, poet që I përpunon vargjet.
Sa ishte gjallë ai botoi librat poetikë:
“Prejardhja e dashurisë” (1982), “Nga biografia e pashkruar” (1984) “Idil e
vetmi“ (1989) dhe “Engjëjt e lirisë” (2000). Një libër poezish të tij u
përkthye edhe anglisht (2000). Po qe se lexohen përnjëherësh librat e tij
poeitkë, lexuesi i vëmendshëm do ta vërejë unitetin e habitshëm të nervaturës
stilistike, ndjenjore e tematike. Pse e themi këtë? E themi për faktin se ai
mbetet besnik kërkesës thelbore të lirikës: poezia është ndjenjë e asgjë
tjetër! Poezia është përjetim e frymëzim e asgjë tjetër! Do të thotë: poezia
lind nga zemra e i kthehet zemrës, është zë i zemrës e jo “zë i kokës”, si do
të thoshte Panoi Taçi. Sespe “zë i kokës”, pra, i mendjes, janë filozofia a
shkencat e mendimit. Dije tjera e jo poezia! Prandaj është aq e afërt dhe e
pranueshme kjo poezi, ndryshe nga eksperimentuesit a “poetët metafizikë e
refleksivë” të gjeneratës së tij!
Janë qindra raporte, për ato 600-700 ditë
lufte që i shkroi e i kumtoi Tahir Desku gjatë luftës. Madje, edhe brenda një
dite, ai bënte disa raporte! I gjendur në mesin e luftëtarëve anekënd Kosovës,
duke raportuar nëpër istikame drejtpërdrejt nga flakët e luftës, duke qenë
dëshmitar i ngjarjeve sa tragjike aq edhe heroike të historisë më të re që po
bëhej me UÇK-në në krye; Tahir Desku shkruante e raportonte për çdo ditë në
radion Kosova e Lirë apo në TVSH apo në radio të jashtme. Të vetmet kushte të
tij ishin një telefon celular, një laps e letra e bardhë: mungonin zyrat
komode, kafeneja komode, karriget luksoze a “kushtet” tjera që sot i gëzojnë
gazetarët. raporti i tij prej gazetari jehonte nëpërmes krismave të luftës e të
granatave serbe. Mungonte edhe “paga":
e vetmja pagë e tij ishin djersa e mundi i përgjakur nëpër shtigje
lufte; ndjenja e vetëdija e lartë për lirinë. Do ta kenë vështirë sot ta
imagjinojnë reporterët a gazetarët që nuk i kanë përjetuar ato kushte të
raportimit e të gazetarisë së luftës. Me këtë rast mjafton të bëhet vetëm një
homazh në përkujtim të angazhimit të tij si reporter lufte. Po vlen të
theksohet një gjë që e ka karakterizuar figurën e tij të rrallë: në ato qindra
raporte lufte. Asnjëherë me asnjë fjalë a fjali ai nuk e ka sulmuar a kritikuar
asnjë subjekt politik e asnjë figurë politike të kohës! Sepse tehu i penës së
tij ishte drejtuar dikah tjetër: kundër Serbisë pushtuese. Sepse pena e tij
ishte vënë në shërbim të diçkaje më të lartë: të përhapjes së të vërtetës për
luftën. E kush më mirë se ai e përhapi atë të vërtetë, si kronist lufte? Të
madhërishmen si kategori estetike ai nuk e shqiptoi vetëm në poezi; atë e
shqiptoi edhe në jetë.
Prend BUZHALA:
MUZA E KUJTESËS, botoi Klubi i Shkrimtarëve “Vorea Ujko” Klinë 2007, f. 293)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen