Samstag, 25. Mai 2013

Venka Capa: FANAR HISTORIE



Poezi nga Venka Capa

FANAR HISTORIE

Tahir Deskut

Vringëllove armët e rrokullise gurin e historisë,
Në vrullin poetik si gurgullima e ujit të rrëpishëm
Fluturove dhe mblodhe nektar kudo në hapësirë,
Lirinë kërkoje, në fluturim...pa bërë kompromis...
Ty të rrëmbeu, të nxiti, të frymëzoi,
Dashuria për atdheun dhe liria!
Mirësinë e gatuaje e i jepje formë kuptimit...
Ti je poçari i letrave, poçari i vargjeve për liri,
Vargu ishte ajër, oksigjen, frymëmarrje dhe atdhe!
Burimi i i tij ishte trokëllimë kali.
Heshtje e murosur, psherëtimë e hijeve
Që endej i vendosur nëpër këtë lëmsh jete...
Bota shpirtërore të rrëqeth me trimëri e penë.
Shkrove për njeriun, këndove për lirinë,
Ne sot e shohim, e ndjejme thellë,
Me sytë e receptorit të zemrës...
Testamenti i heroit T.Desku, do jetë fanar,
Rreze drite për të gjetur shërim çdo bashkëatdhetar.
Emri juaj është pjesa e ndritur e historisë,
O reporter i shpirtit, të lirisë e pavdeksisë

Sëveme Fetiqi: PSE VDIQE PARA VDEKJES


 
Pse vdiqe para vdekjes

Tahir Deskut

Ah ajo natë
kur ishte pa hënë
Ditë pa dritë
Agim pa këngë këndezi
Qiell pa kaltërsi
E ai bar që i vinte
Erë tym e flakë
E kjo Tokë
Kur thithte lumenjë të gjakut
Ti ishe aty

Ata që është dashur
Të mbesin në heshtje
Ç´ka ju duk atyre jeta jote
Ç´ka ditën ata për bukurinë
E lindjes së shpirtit përsëri
Pas shekujve të vrarë

Le të mbesin përjetësisht
Në baltën e gënjeshtrave
Ata që zgjohen vonë
Ofshamat për t´i shëruar
Dhe ata që me këmbë urrejtjeje
Shkelin gjakun e atyre
Që ishin këtu e më s´ janë

Nëse nuk ka Shqipëri
As ne s ´do të jemi

Të vdesësh para vdekjes
Domethënë të zgjohesh
Heret me këngën e këndezit
Deri në pavdekësi

Freitag, 24. Mai 2013

Namik Selmani: BACA I URTISË SË KOSOVËS

Namik SELMANI

Baca i Urtisë së Kosovës
Luftëtarit dhe poetit Tahir Deskut

Me ty, vëlla
Do ta bëjmë përherë Festën e Pambaruar të Plisit
Ku Baca
Prêt të lodrojë Vallen e Rugovës dasmave e gazeve të djemve e çikave
Një ëndërr të re
Nis në pasjetën tënde për Kosovën ku çurgon një curril si asht burimi
E na zgjohet
Foltoreve e konakëve një ortek kujtese që theqaf harresën tragjike.
Me ty do të rizgjoj
nja ag të ri Kosove e do të marr në duar mijëra shtiza drite
Se Nata
Prapë kërkon të na hirnosë varret, sytë e brazdën
hej,
mes pranverave gjelbërore do shpërndaj lulëkuqe dashurie
Marrë
Nga zemra jote si rudinë ku kuqëlojnë sa e sa bajraqe.

3.
O ëndërr e bukur
Më jep kahdo një pranverë boheme deskiane me frymë lirie
Të thërras
brerimin në majat e një lavdie askurrë të shtirur
Të thërras
ca tupanë që bien kullave mureshpuar si me dekorata madhështie
Të thërras
qiejt e pamatë të fjalës tënde e të shpirtit liridonas e të bukur

4.
Me të
Dua të ringrej Urat e Zemrave të vrara, jo si murrana legjendash
Me 700 oda
të bajmë shkallë të ndrituara, gjer larg, në Pejë, në bjeshkë
fjala
në m’u mrroltë vëlla, do të marr si në duar urtinë tënde
e me nofullën e shqyer
do të ndal i lumturuar si Kostandin i gjallë në derë.

5.
Do të marr papërtuar
Ca hambarë shkronjash deskiane plot aromë e bukuri
T’i rimbjell
Në Çamërinë e halleve bash si Plaku i thinjur Mollëve.
Se Logu i Mençurisë
Fort po paska mall për të bërë sërish BETIM të ri
E trokashkës së mullirit
I është tharë shumë herë edhe currili që i vjen prej toke

6.
Kullë më kullë
Do të marr pishtarin e dritës tënde në duar.
Si djali më besnik
A si lokja e baca më i urtë i mbarë fshatit e fisit
Falmë, bre burrë,
Nëse më vjen marria në damarin e kaltër të gurrës
E unë
ia hap derën i qorrëruar, si të thaja farën e fundit të plisit.

7.
Pash fjalën e mencur
Ma jap vëlla një dorë dheu nga varri i lulëzuar ku kënga buron
Do t’ia marrim pejzat zemrave
E me to do bëjmë tela për lahuta e sharki me tinguj si bari në livadhe
Oh,
E sheh, e sheh, si zjarrmojnë tymtarët e kullat një gaz të ri kërkojnë
E fjala
Kërkon prapë një sofër ku të rrimë sërish të menduar, për të ardhmen

7.
Ah, vëlla.
Na u desh që të vinim plumbat në trastën e shkronjës
E këpucët e baltosura
Na dërguan në udhë mjegullore me ëndërr lirie
Në gjoksin e plaguar
U bëmë se e sa herë Gjergjë për pragjet e ndritura të Kosovës
Teksa neteve
Thurnim së bashku symalluar me dhimbje e gaz lirika dashurie.

8.
Ah, Tahir Desku, ofshama mos ma kalltë fjalën e dlirë
Kukama mos më mbuloftë me shallin si tym të zi
Nëse nuk të gjej livadheve në Pejë, Prekaz, Koshare a në Prishtinë
Në vargun më të ri brenda nesh ti vetëm…. RILIND.


Shënim:
 Kjo poezi ka fituar Çmin e parë në Konkursin Mbarëkombëtar të organizuar nga dhe nga Komuna e Klinës në bashkëpunim edhe me asiosacione të tjera letrare në Diasporë dhe është botuar në Antologjië e hartuar për Poetin Tahir Desku

ME NDIHMONI ME MATERIALE PER POETIN TAHIR DESKU

Edhe nje here

ME NDIHMONI ME MATERIALE PER POETIN TAHIR DESKU

Te dashur miq, jam duke punuar nje blog ne shenj respekti per mikun e poetin Tahir Desku dhe kam shume nevoje qe te me ndihmoni me materiale. E kam kerkuar ndihmen tuaj edhe me pare. Me jan pergjigjur miqte Prend Buzhala, Biser Mehmeti, Sabit Zeneli, Iamet Krasniqi etj. Prend Buzhal mi ka derguar te gjitha shkrimet qe i ka bere per Tahir Deskun, kurse miku tjeter Biser Mehmeti ma ka derguar komplet librin e Tahirit „Prejardhja e dashurise“ te daktilografuar dhe te gatshem per ta vendosur ne blog. Kesisoj, edhe miku  Sabit Zeneli ma ka deguar librin „Engjët e lirisë“.

Keto materiale i kam vendosur ne blog, por per shkak te nje defekti ne kompjuter, me jan shlyer disa materiale tjera qe mi kann derguar miqte dhe disa foto.

Ndaj ju lutem, me nihmoni perseri. Kam nevoje per foto te poetit te njere, per librat tjere , per shkrimet qe jan bere per krijimtarin e tij, per ndonje kujtin tuajin per Tahirin. Me nje fjale, gjithçka për Tahir Deskun.  Njeheresh, kerkoj edhe ndihmen e familjes s poetit qe te me dergojne foto apo ndonje material tjeter.

Materialet mund te mi dergoni ne adresen elektronike :  albplanet@hotmail.com
Nese dergoni materiale me njoftoni menjehere edhe permes Facebok-ut.

Sekendejmi, ju njoftoj sekam punuar me perkushtin dhe  blogu kushtuar mikut dhe poetit Tahir Desku ka filluar ta marre te mbaren dhe mund ta vizitoni ne kete adrese:  http://tahirdesku.blogspot.com/ 

Me shume respekt,
Haxhi Muhaxheri
24.05.2013

Skënder R. Hoxha: MIKU YNË POET



Poezi nga Skënder R. Hoxha

MIKU YNË POET
(Requiem Tahir Deskut)

Shpejt iku koha
Pas kodrave të Drenicës
Si pranverat në çantë
Të shkollarit të saj
Tahirit të Siçevës

Vargjet e poetit
Fjalëmbla – metaforë
Nuk harrohen
Rreshtat e gazetarit
Përherë kojtohen

Edhe në fronte lufte
Në Pika në Istikame
Kumbonte
Fjala e zjarrtë
Fjala kushtrim
Kur gjëmonte Llapushniku
Atje ishte Tahiri i Kosovës –
Miku ynë

Breznitë do të pyesin
Athua u zbraz herët
Gotë e jetës
Apo kobi mashtroi
Në fundvjeshtën me brymë?

(Fundnëntor 2008)

(Kjo vjershë u lexua më 3 dhjetor 2008, në Akademinë Përkujtimore, mbajtur në Klinë, më rastin e tre-vjetorit të vdekjes së poetit Tahir Desku.)


Hajdin Morina: POEZI E NOVATORIZMIT...

Hajdin Morina
POEZI E NOVATORIZMIT
DHE E ANTIKONFORMIZMIT
SHOQËROR E LETRAR

(Sprovë për vlerësim cilësor të veprimtarisë krijuese të shkrimtarit Tahir Desku.Kumtesë e lexuar në Manifestimin letrar tradicional “Ora e Tahir Deskut”, themeluar me vendim të Kuvendit komunal të Klinës,në korrik 2009, mbajtur më 7 shtator 2009.)

Shkrimtari Tahir Desku është njëri ndër emrat e njohur të letërsisë sonë në përgjithësi e veçanërisht të poezisë, e cila për të mbeti lloji letrar dhe mjeti i vetëm për të shprehur qëndrimet e veta si njeri dhe si poet, për të krijuar një art në shërbim të përsosjes estetike dhe në shërbim të mesazhit e të krijimit të një katarze shpirtërore që mundohet ta bëjë letërsia tash e mijëra vjet.

Tahir Desku me shkrime letrare filloi të merrej qysh si nxënës, kurse veprat letrare filloi t’i botonte në fillim të viteve ’80, pra ai është përfaqësues i një brezi letrar që këmbëngulte për krijimin e një poezie ku do të vërehej qartë novatorizmi, origjinaliteti, një përkushtim më i madh ndaj teknikave të krijimit të vargjeve dhe një interesim e përkushtim ndaj temave të reja, disa prej të cilave deri më tash kishin qenë në margjina të interesimeve të krijuesve. Tahiri botoi këto vepra poetike: Prejardhja e dashurisë (1982), Nga biografia e pashkruar (1984), Idil e vetmi (1989), Engjëjt e lirisë (2000), Në cilin gjeth e kam vdekjen (2006, post mortem), botuar nga LSHK-ja. Një libër poetik i është përkthyer në gjuhën angleze nga Fadil Bajraj.

Tahir Desku, duke i shërbyer me përkushtimin më të madh Letërsisë dhe Kombit, la pas vetes vepra të rëndësishme letrare, por me përmasa po aq të larta krijoi edhe veprën njerëzore, kulturore, atdhetare e luftarake-vepra këto që po ashtu mund të lexohen sikur poezia e tij, duke shtuar vlerat e personalitetit të tij që reflektonte në forma të ndryshme projektimin për thyerjen e vetmisë, për krijimin e hapësirave të lirisë njerëzore e kombëtare.Antikonformizmi ishte një vlerë tjetër e rrallë e njeriut dhe shkrimtarit Tahir Desku.

Pjesëmarrja në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës paraqet një tjetër kapitull të rëndësishëm në biografinë e Tahir Deskut. Puna e vështirë e reporterit të luftës, heroizmi i bashkëluftëtarëve, rëniet për liri e frymëzuan për krijime të realizuara letrare dhe lanë gjurmë të pashlyeshme e të dhimbshme në shpirtin e ndjeshëm të poetit.Ndër biseda me miq vazhdimisht thoshte e përsëriste se koha e luftës ishte për të pjesa më e dashur e jetës, më e shtrenjta, më e bukura, më e paprekshmja dhe më e dhimbshmja vlerë në shërbim të lirisë së Kosovës.Këtë të vërtetë e skaliti bukur në veprën e një përmase të rrallë estetike “Engjëjt e lirisë” ku si në një teatër antik ndihet dhe përjetohet atmosfera e luftës, ideali i lirisë dhe madhështia e ushtarëve dhe komandantëve të UÇK-së.Si kryefjalë e të gjitha vjershave në libër, si poezi programatike qëndron në ballë të veprës poezia “Baladë”, shumë mirë e realizuar artistikisht, kushtuar Komandantit Mujë Krasniqi dhe 36 dëshmorëve që ranë për liri në Gorozhup të Prizrenit, më 14 dhjetor 1998.

Vepra “Engjëjt e lirisë” do të mbetet njëra nga veprat kryesore të poezisë moderne shqipe, jo vetëm për objektin e frymëzimit dhe për personazhet e veçanta të saj, por edhe për mënyrën e realizimit ideor e estetik, për laryshmërinë e mjeteve të shprehjes, për dendësinë e mendimit, për shprehjen elokuente dhe eliptike. Në këtë vepër autori ka vendosur ngjarje të përjetuara nga lufta çlirimtare e UÇK-së, skena të triumfalitetit të komandantëve dhe të ushtarëve të saj, emra dëshmorësh dhe heronjsh të gjallë që ndërtojnë peizazhin e luftës, krenarinë, dhimbjen dhe shpresën për fitore. Përpos kësaj, autori ka gdhendur edhe idealin e tij jetësor, entuziazmin që është ndërmjet luftëtarëve të lirisë, krenarinë që në luftën e atdheut të vet për liri është pjesë e asaj lufte, prandaj edhe vdekjen e pret qetë, aty pranë një guri, aty pranë një lisi. Është një heroizëm jetësor dhe një heroizëm estetik që i japin madhështi fjalës, luftës dhe lirisë.

Subjekti lirik i poezisë së Tahir Deskut është njeriu ynë i trazuar, që është vazhdimisht në kërkim të plotënisë së identitetit dhe të dinjitetit të tij njerëzor e kombëtar.Ky njeri është përherë i revoltuar, në kërkim të krijimit dhe të zgjerimit të hapësirave të lirisë.
Antikonformizmi i njeriut dhe poetit Tahir Desku reflektohet edhe në krijimtarinë e tij letrare, në mënyrën e shkrimit dhe të meditimit estetik. Në asnjë vepër, pothuajse në asnjë poezi të tij nuk u bë rob i uniformizmit, i propagandimit, i kallëpeve dhe i klisheve që patën shoqëruar e dëmtuar procesin e zhvillimit të poezisë shqipe, kur më shumë e kur më pak, duke ngushtuar tematikën dhe fondin e meteve të shprehjes, bashkë me moralizimet, patetizmin, retorizmin ose eksperimentizmin e panevojshëm, i cili nganjëherë promovonte një hermetizëm të panatyrshëm.

Flalët shtëpi, dashuri, liri, Kosovë, Shqipëri janë disa nga fjalët kyçe në poezinë e Deskut, të cilat reflektojnë kuptime, emocione, ide e gjendje të ndryshme shpirtërore të subjektit lirik të kësaj poezie.

Në përgjithësi poezia e Tahir Deskut, qysh në fillimet e saj, paralajmëroi një zë të ri dhe të fuqishëm, një emër që këmbëngulte në përsosmërinë e vargut poetik dhe të mesazhit, në origjinalitetin e shprehjes dhe të krejt prosedeut krijues.Poezia e tij në shumë aspekte sjell elemente novatore në zgjerimin e tematikës dhe në interesimin e poetit ndaj njerëzve fatkeq, ndaj atyre që jetojnë në periferitë e jetës dhe të shoqërisë, shpeshherë të përbuzur dhe të anatemuar pa të drejtë.

Poeti Tahir Desku ishte njohës i thellë i traditës kulturore dhe letrare shqiptare, njohës i thellë i zhvillimeve, tendencave dhe novatorizmit letrar që kishin sjelë në letërsinë tonë emra të njohur si Kadareja, Agolli, Arapi, Shkreli, Podrimja etj. Duke lënë të pashkëputshme fijet me traditën, Tahir Desku veprën dhe orientimin e tij letrar e vuri në shërbim të natyrës së vërtetë të artit letrar e jo në shërbim të qëllimeve të tjera jashtëletrare. Qëndroi larg përfshirjes së ideologjisë dhe partishmërisë në veprën letrare.

Tahir Desku është përfaqësues i brezit të shkrimtarëve të viteve ’80, të cilët duke asimiluar përvojën poetike të traditës, duke reflektuar herë pas here natyrshëm ndikimin nga brezi i njohur i shkrimtarëve të viteve ’60 që bënë kthesën më të madhe dhe më të diskutueshme në letërsinë shqiptare, veçanërisht në fushën e poezisë- pasuruan poetikën e poezisë sonë moderne në aspekte të një zgjerimi më të madh të gamës së interesimeve tematike, në aspekte të një lirie më të madhe metrike dhe të një gjuhe poetike që mëton të shlyejë kufirin ndërmjet zhanreve letrare, duke latuar një figuracion poetik të veshur me simbol, metaforë dhe ironi të përpunuar në një shkallë të lartë estetike, në shërbim të qëndrueshmërisë së tekstit dhe të nëntekstit, qoftë edhe atëherë kur poezia ndërtohet brenda një ligjërimi që nuk dallon shumë nga gjuha e komunikimit joletrar.

Shkrimtari Tahir Desku me veprimtarinë e vet krijuese, me trajtesat dhe debatet për letërsinë e afirmonte dhe e promovonte mendimin kritik, të cilin e kishte lanësuar në fillim të shekullit XX shkrimtari Faik Konica, sipas të cilit vepra letrare duhet të vlerësohet ndaras nga jeta e shkrimtarit, në bazë të kritereve estetike e jo në bazë të qëllimeve për të cilat shkruhet ajo.

Në asnjë vepër të Deskut, në asnjë poezi të tij nuk gjen elemente të krijimtarisë oborrtare.Në asnjë veprim dhe qëndrim të Tahir Deskut nuk gjen elemente të krijuesit oborrtar. Herët e ndjeu dhimbjen e popullit të vet dhe herët u vu në shërbim të lirisë së Atdheut, me të gjitha format e mundshme të betejave. Kohën që e jetoi, e mbijetoi dhe e përjetoi, mirë e skaliti në vargun poetik dhe në këtë drejtim u la brezave të lexuesve një testament estetik për ta njohur një kohë me të gjitha aktet e saj, me të gjitha personazhet, duke mos i harruar asnjëherë as ata që jetojnë margjinave të jetës, të ekonomisë e të shoqërisë, pra duke u solidarizuar në jetë e në krijimtari me të pastrehët, me të sëmurët, me të përbuzurit dhe me fëmijët që rriten më ngadalë për shkak se preokupohen me shqetësimet e të rriturve. Me jetën dhe me veprën e vet letrare Tahiri mbrujti dimensionet e njeriut e të krijuesit kryengritës dhe protestues, elemente këto që e kanë shoqëruar që në zanafillë intelektualin, shkrimtarin dhe letërsinë tonë, e cila shpesh, nëpër vorbullat e kohëve, e ka tjetërsuar vetveten për t’i shërbyer ndërgjegjes, vetëdijesimit, luftës dhe lirisë.

Duke folur për shkrimtarët, për mjeshtrit e fjalës ose për magjistarët e saj, historiani i njohur i letërsisë shqiptare, Jorgo Bulo, shkruan: “Ne ikim, ikim vazhdimisht, herë të entuziazmuar drejt së ardhmes, herë të të trembur drejt humbjes, por ata, zotërit e fjalës, vijnë vazhdimisht drejt nesh, dhe na magjepsin me magjinë e verbit shqip, dhe na shkundin nga marrëzia e shkatërrimit të vlerave ose nga përtacia mendore e indiferencës ndaj tyre.Ata na bëjnë të realizohemi si njerëz të këtij trualli ku ka lindur, për të mos vdekur kurrë dhe për t’u ripërtëritur pafundësisht fuqia e perëndishme e fjalës shqipe”.

Poeti i madh kombëtar, Lasgush Poradeci, thotë se Kombin e bëjnë poetët. Në këtë kontekst, shkrimtari Tahir Desku në një intervistë dhënë shkrimtarit dhe publicistit Frrok Kristaj, për gazetën “Rilindja” të datës 20 janar 2001, tha: “...Poezia është dhembje e bukur...Atdheu, të cilit i mungojnë poetët, i mungon bukuria, ndërsa popullit të atij Atdheu i mungon dhembja”. I citova këto thënie lapidare të njerëzve të letrave për të argumentuar se ndër ata që kanë bërë punë e mund për ta bërë Kombin dhe Lirinë është edhe shkrimtari ynë Tahir Desku.

Burimi: ZEMRASHQIPTARE

Ruzhdi Berisha: TI LIND ÇDO DITË LULE GJAKU




 
Poezi nga Ruzhdi Berisha - Rudi

TI LIND ÇDO DITË LULE GJAKU*

Kujtim për Tahir Deskun

Breshëri plumbash nuk e mposhtën dot lirinë
Atdheu jetoi edhe pas gjithë atij pushkatimi
Mali i Malësisë gjithandej frymon i gjallë
Dëshmor në rrugën e stërgjatë të përjetësisë

Vigani i pamposhtur pi përjetësisht ujë të pastër
Ai nuk nënshkruan marrëveshje kundër kombit
Dallëndysheve të vrara nga pushka e barbarit
Po shqiponja vret korbin edhe me dy të shtëna

Delet ç’kullosin në tokën e pushtuar nga brenda
E gjaku yt lind çdo ditë lule me njatë ngjyrë të kuqe
Si guxoni t’i këputni lulet me aromë varresh
Po përse shkelni mbi gjakun e iliro-dardanëve

Unë iu lashë të lirë edhe pse ika kur erdhi liria
Mua më bartin engjëjt e lirisë në krahë drejt amshimit
Edhe pse sytë i kam të hapur për vajzën time për djalin
Por shpirtin ia fala tokës pellazge - tokës Shqipëri

Mos më qani në liri e nëse doni flisni disa fjalë për mua
Më lavdëroni vetëm për hir të Zotit e të vërtetën thoni
Unë jam i gjallë jam vetë Tahir Desku e jam këtu me ju
Engjëjt më sollën në rreze lirie dhe qirinjtë më bëjnë dritë

Jam këtu me ju dhe ju dua shumë vëllezër dhe motra
Nga dëgjoj këtë zë të Tahir Deskut që më flet nga lart
Të mos heshtim ta dëgjojmë mirë porosinë e këtij burri
Gjaku që nuk lind kryetrima po është një gjak i humbur

O Tahir - Tahir Desku gjaku juaj a s’është vetë liria
Diell që ngroh dhomën time e hënë që natën zbardh
Se je engjëll i lirës së Atdheut histori pene e pushke
Je vetë Shqipëria ndaj ju kujton gjëmëmadhe Shqiptaria

*Kjo poezi u nderua me Çmimin e parë në manifestimin
“Ora e Tahir Deskut” në Klinë më 7 shtator 2012