Namik SELMANI
Baca i Urtisë së Kosovës
Luftëtarit dhe poetit Tahir Deskut
Me ty, vëlla
Do ta bëjmë përherë Festën e Pambaruar të Plisit
Ku Baca
Prêt të lodrojë Vallen e Rugovës dasmave e gazeve të djemve e çikave
Një ëndërr të re
Nis në pasjetën tënde për Kosovën ku çurgon një curril si asht burimi
E na zgjohet
Foltoreve e konakëve një ortek kujtese që theqaf harresën tragjike.
Me ty do të rizgjoj
nja ag të ri Kosove e do të marr në duar mijëra shtiza drite
Se Nata
Prapë kërkon të na hirnosë varret, sytë e brazdën
hej,
mes pranverave gjelbërore do shpërndaj lulëkuqe dashurie
Marrë
Nga zemra jote si rudinë ku kuqëlojnë sa e sa bajraqe.
3.
O ëndërr e bukur
Më jep kahdo një pranverë boheme deskiane me frymë lirie
Të thërras
brerimin në majat e një lavdie askurrë të shtirur
Të thërras
ca tupanë që bien kullave mureshpuar si me dekorata madhështie
Të thërras
qiejt e pamatë të fjalës tënde e të shpirtit liridonas e të bukur
4.
Me të
Dua të ringrej Urat e Zemrave të vrara, jo si murrana legjendash
Me 700 oda
të bajmë shkallë të ndrituara, gjer larg, në Pejë, në bjeshkë
fjala
në m’u mrroltë vëlla, do të marr si në duar urtinë tënde
e me nofullën e shqyer
do të ndal i lumturuar si Kostandin i gjallë në derë.
5.
Do të marr papërtuar
Ca hambarë shkronjash deskiane plot aromë e bukuri
T’i rimbjell
Në Çamërinë e halleve bash si Plaku i thinjur Mollëve.
Se Logu i Mençurisë
Fort po paska mall për të bërë sërish BETIM të ri
E trokashkës së mullirit
I është tharë shumë herë edhe currili që i vjen prej toke
6.
Kullë më kullë
Do të marr pishtarin e dritës tënde në duar.
Si djali më besnik
A si lokja e baca më i urtë i mbarë fshatit e fisit
Falmë, bre burrë,
Nëse më vjen marria në damarin e kaltër të gurrës
E unë
ia hap derën i qorrëruar, si të thaja farën e fundit të plisit.
7.
Pash fjalën e mencur
Ma jap vëlla një dorë dheu nga varri i lulëzuar ku kënga buron
Do t’ia marrim pejzat zemrave
E me to do bëjmë tela për lahuta e sharki me tinguj si bari në livadhe
Oh,
E sheh, e sheh, si zjarrmojnë tymtarët e kullat një gaz të ri kërkojnë
E fjala
Kërkon prapë një sofër ku të rrimë sërish të menduar, për të ardhmen
7.
Ah, vëlla.
Na u desh që të vinim plumbat në trastën e shkronjës
E këpucët e baltosura
Na dërguan në udhë mjegullore me ëndërr lirie
Në gjoksin e plaguar
U bëmë se e sa herë Gjergjë për pragjet e ndritura të Kosovës
Teksa neteve
Thurnim së bashku symalluar me dhimbje e gaz lirika dashurie.
8.
Ah, Tahir Desku, ofshama mos ma kalltë fjalën e dlirë
Kukama mos më mbuloftë me shallin si tym të zi
Nëse nuk të gjej livadheve në Pejë, Prekaz, Koshare a në Prishtinë
Në vargun më të ri brenda nesh ti vetëm…. RILIND.
Shënim:
Kjo poezi ka fituar Çmin e parë në Konkursin Mbarëkombëtar të organizuar nga dhe nga Komuna e Klinës në bashkëpunim edhe me asiosacione të tjera letrare në Diasporë dhe është botuar në Antologjië e hartuar për Poetin Tahir Desku

Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen