Freitag, 24. Mai 2013

Tahiri i Artit, Jetës dhe Luftës

PREND BUZHALA
 
Tahiri i Artit,
Jetës dhe Luftës
 (Me rastin e vdekjes)
 
Tahir Desku (1956-2005) më 3 dhjetor të vitit 2005 humbi jetën tragjikisht në një aksident trafiku. Ai njihet në shtresat e lexuesve e të opinionit tonë në disa fusha të veprimtarisë së tij: si publicist e gazetar shumëvjeçar gjatë viteve ’70 – ‘80 të shekullit që e lamë pas; si poet i mirëfilltë i letërsisë së sotme shqipe dhe si reporter i luftës së UÇK-së gjatë viteve 1998-1999, kur edhe vetë i kishte ngjeshur armët për liri. Gjithsesi, kurdoherë që të shkruhen sinteza shkencore apo monografi që do t’iu kushtohen këtyre trifushave: gazetarisë shqiptare, letërsisë shqipe dhe luftës së fundit; që të tri këto fusha do t’ishin të varfra pa emrin e Tahit Deskut. Poezinë kishte nisur ta shkruante e ta botonte si gjimnazist, kurse libra poetikë nisi të botonte që në rini.

Prandaj, në hapësirat e Instituti Albanologjik të Prishtinës u mblodhën qindra veta, për të përkujtuar njëvjetorin e vdekjes së Tajhir Deskut, si dhe për të promovuar librin e posabotuar të poezive të poetit të ndjerë, “Në cilin gjet e kam vdekjen”, nën përkujdesjen e Adem Gashit. Folësit, si Ramadan Musliu, Miradije Ramiqi, Arben Atashi, Kasdrush Radogjoshi, e vlerësuan poezinë dhe jetën e Tahirit, si krejt të veçantë: bohemi poetike, poet që ka sistemin e tij poetik, poet që I përpunon vargjet.

Sa ishte gjallë ai botoi librat poetikë: “Prejardhja e dashurisë” (1982), “Nga biografia e pashkruar” (1984) “Idil e vetmi“ (1989) dhe “Engjëjt e lirisë” (2000). Një libër poezish të tij u përkthye edhe anglisht (2000). Po qe se lexohen përnjëherësh librat e tij poeitkë, lexuesi i vëmendshëm do ta vërejë unitetin e habitshëm të nervaturës stilistike, ndjenjore e tematike. Pse e themi këtë? E themi për faktin se ai mbetet besnik kërkesës thelbore të lirikës: poezia është ndjenjë e asgjë tjetër! Poezia është përjetim e frymëzim e asgjë tjetër! Do të thotë: poezia lind nga zemra e i kthehet zemrës, është zë i zemrës e jo “zë i kokës”, si do të thoshte Panoi Taçi. Sespe “zë i kokës”, pra, i mendjes, janë filozofia a shkencat e mendimit. Dije tjera e jo poezia! Prandaj është aq e afërt dhe e pranueshme kjo poezi, ndryshe nga eksperimentuesit a “poetët metafizikë e refleksivë” të gjeneratës së tij!

 Janë qindra raporte, për ato 600-700 ditë lufte që i shkroi e i kumtoi Tahir Desku gjatë luftës. Madje, edhe brenda një dite, ai bënte disa raporte! I gjendur në mesin e luftëtarëve anekënd Kosovës, duke raportuar nëpër istikame drejtpërdrejt nga flakët e luftës, duke qenë dëshmitar i ngjarjeve sa tragjike aq edhe heroike të historisë më të re që po bëhej me UÇK-në në krye; Tahir Desku shkruante e raportonte për çdo ditë në radion Kosova e Lirë apo në TVSH apo në radio të jashtme. Të vetmet kushte të tij ishin një telefon celular, një laps e letra e bardhë: mungonin zyrat komode, kafeneja komode, karriget luksoze a “kushtet” tjera që sot i gëzojnë gazetarët. raporti i tij prej gazetari jehonte nëpërmes krismave të luftës e të granatave serbe. Mungonte edhe “paga":  e vetmja pagë e tij ishin djersa e mundi i përgjakur nëpër shtigje lufte; ndjenja e vetëdija e lartë për lirinë. Do ta kenë vështirë sot ta imagjinojnë reporterët a gazetarët që nuk i kanë përjetuar ato kushte të raportimit e të gazetarisë së luftës. Me këtë rast mjafton të bëhet vetëm një homazh në përkujtim të angazhimit të tij si reporter lufte. Po vlen të theksohet një gjë që e ka karakterizuar figurën e tij të rrallë: në ato qindra raporte lufte. Asnjëherë me asnjë fjalë a fjali ai nuk e ka sulmuar a kritikuar asnjë subjekt politik e asnjë figurë politike të kohës! Sepse tehu i penës së tij ishte drejtuar dikah tjetër: kundër Serbisë pushtuese. Sepse pena e tij ishte vënë në shërbim të diçkaje më të lartë: të përhapjes së të vërtetës për luftën. E kush më mirë se ai e përhapi atë të vërtetë, si kronist lufte? Të madhërishmen si kategori estetike ai nuk e shqiptoi vetëm në poezi; atë e shqiptoi edhe në jetë.

 
(Botuar te gazeta javore FOCUS e Prishtinës, ku kam qenë redaktor i kulturës për dy vite; është botuar mandej te disa media tjera të Kosovës, si dhe te libri:

Prend BUZHALA: MUZA E KUJTESËS, botoi Klubi i Shkrimtarëve “Vorea Ujko” Klinë 2007, f. 293)

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen