Freitag, 24. Mai 2013

Prend Buzhala: POETIKA E SË MADHËRISHMES


(Tahir Desku ”Engjëjt e lirisë”, poezi, botoi Ndërmarrja Botuese “Gjon Buzuku”, Prishtinë 2000)

 
PREND BUZHALA

E kanë thënë moti poetët: shkrimi i poezisë është mbijetim i vdekjes. Aty është trinia e shenjtë e poetit: shpirti, jeta, vdekja. Aty është pema, simbol urtie, vdekjeje e dashurie si "pemë e ndaluar". Kurse poeti Tahir Desku dëshiron të kapet mu tek motivet e kësaj "peme të ndaluar", me të cilat u shoqërua gjithë jetën, krahas penës e luftës, krahas sfidave të rënda në jetë për ta sfifuar mu vdekjen: “Kam mundur të vdes/ bukur po vdes/ te ky shkëmb/ në këtë varg». Si ta bësh sintezën e përvojës historike dhe sintezën e përvojës letrare në vetë aktin poetik? Si t’i ngërthesh mbrenda vargut esencën e heroikes e të luftës çlirimtare në ato çaste të rralla meditimi e vetmie të vjedhur, kur përreth gjëmojnë armët; kur në çdo hap je i rrethuar prej vdekjes; kur hapësirat e ekzistimit janë ngushtuar e ngushtuar rrëqethshëm?

 

Letra e luftës

Gjithsesi, kështu do të jetë ndjerë poeti Tahir Desku, tek i ka mbledhur vargjet e librit ”Engjëjt e lirisë” si troha të shkapërderdhura shpirtërore në sofrën e përgjakshme të luftës, aty ku e kishte “hisen” e tij si luftëtar e reporter lufte. I botuar në krye të një viti mbas përfundimit të luftës në Kosovë, ky libër aktualizon preokupimet e interesimet e studiuesve të letërsisë, të historianëve të letërsisë apo edhe të dijetarëve e të estetëve, për t’i parë edhe njëherë raportet në mes letërsisë dhe luftës, nga njëra anë, si dhe interesimet për letërsinë e për literaturën, të lindura në luftë apo menjëherë mbas saj. I vetëdijshëm se librat e mëparshëm poetikë: “Prejardhja e dashurisë” (1982), “Nga biografia e pashkruar” (1984) dhe “Idil e vetmi“ (1989), përbëjnë një përvojë tjetër jetësore-krijuese; i vetëdijshëm se verbi poetik nuk duhet të zbresë në rrafshin ideologjik apo në atë të mbitheksimit të tendencës; Tahir Desku ka arrijtur, nga njëra anë, ta ruajë unitetin stilistik të krijimtarisë së tij të përparshme, ashtu sikundër ka arrijtur ta nyjëtojë esencën e fjalës poetike të luftës e të lirisë, nga ana tjetër.

Sido që të jetë, mbas thyerjeve të mëdha historike, që nga vitet ’90 e këndej, dhe, sidomos, të thyerjeve që sollën vitet e luftës; së këndejmi, edhe letërsia e krijuar dhe e botuar gjatë atyre viteve dhe menjëherë mbas luftës, do të mund të përkufizohej si Letërsi e luftës apo e Rezistencës. Letërsi e lindur, pra, nga periudha e dhimbjes më të madhe, nga çastet e vuajtjeve të paskajshme e nga ato të fatkeqësive e të mundimeve kolektive; mu në vatrën e në thelbin e tragjedive më të mëdha njerëzore. Kurse libri krijohej mu atëherë, kur librat zhdukeshin e digjeshin më së shumti! E, armiku, posi, edhe ai mbante letër të bardhë përpara. Veçse, në ato letra ai shestonte diçka tjetër : si të zhduket çdo frymë jete, si të vriten jo vetëm njerëz, po edhe zogj dhe kafshë, si të pikëzohen ato shenja që zhdukin çdo gjurmë jete e çdo shenjë lirie.

 

Ditët pa ditar: oshëtimat e shpirtit

Vargjet janë aq të kuryera e aq të pakta. Në ciklin “Pa ditar” ditët janë krejt të njëllojta; një ditë është e ngarkuar me aq e aq ngjarje të përgjakshme e me tragjedi që s’mbahen mend. Ditari nuk ka datë, nuk ka as ditë. Ditët nuk kanë ditar. Ditët kanë arritur ta ruajnë vetëm emrin e tyre. Por ato vargje e kanë atë ballafaqim të ashpër me realitetin e kobshëm, të ngërthyer e të kontrastuar (zjarr e shi) në fjalën poetike, sit e poezia “E hënë”: "Fryma e tokës/ më mori fletët/ dhe hartën e Atdheut/ zjarr e shi».

Të duket sikur ke hyrë në një oratorium të mortores masive, në të cilin poeti nuk qan, por këndon (“E martë”); se ke depërtuar në një skenë, në të cilën fjala poetike, aq rrallë e aq rrallë, shkrepëtin në vatrën e luftës që zien. Në ato çaste të vetmisë së vjedhur, poetit i mbetet që ta shquajë, pse jo, semantikën e shumëkuptimësisë poetike: prometheizmin si ndërgjegje të lartë të vetëflijimit njerëzor, apo ta mbitheksojë refleksionin e pikëllimit të paanë (“E mërkurë”). Te “ E enjte” ai shtegton në horizontin spartakian të urdhërit më të lartë moral:

Gjaku s’më lë të ngritem në këmbë
Tamam kohë për të vdekur

E kështu: e premtja, e shtuna… Po e diela, a do të jetë diellore? Ku mbetet e pritshmja? Eh, prapë aty fekson dita-që-mungon, dita e lirisë, aq e shumëpritur. Një mijë vjet janë sa një ditë, do të thoshte apostulli biblik, Shën Pjetri. Një ditë sa një mijë vjet. Të jesh artist në kushtet e paimagjinueshme për artin poetik, ta mveshësh Fjalën e Luftës, edhe në aso kushtesh, me erudicionin poetik e me shenjat simbolike, eliptike, figurative e urtake,- kjo është ajo sfida e madhe e krijuesit përballë krijimit të ngeshëm laboratorik. Ritmi i të madhërishmes e tragjikes i artikulon e i nyjëton fuqishëm gjëmimet e oshëtimat e shpirtit.

 

Trajta e baladës heroike

Me këso oshëtimash e gjëmimesh fillon libri poetik “Engjëjt e lirisë”. Cikli-poezi “Monolog” i sjell në tryzën e leximit të sotëm jehonat e sintezës deradiane të botës së ndryshimeve. Poeti e hap perden. Në skenë lëvizin terri, mordja, vdekja. Atdheu shfaqet në perden e përhirtë. Poeti klith në monolog, diku, pranë një shkëmbi, në vetmi. Diku në majë të botës. Nuk është çfarëdo vetmie: ajo i ka ngarkesat e veta dramatike e psikosociale, ku jeta ka humbur çdo kuptim. E çfarë është kushtrimi i poetit? Është kushtrim i jetës kundër vdekjes. Prandaj, përsëri klithma: qitja flakën! Cikli “Uri në mal” ka dy tërësi poetike: “Uri në Tushillë” dhe “Baladë”. Fjala poetike, në këso çastesh, kristalizohet si shenjë e luftës dhe e  identitetit, si bukuri universale e thënies poetike:


Kështu ne bënim çudira. Bënim ne mrekullira. Kur s’kishim bukë për fëmijë në malet e Drenicës.”


Poeti ligjëron aty ku thuren legjendat e gjalla, aty ku mali ynë bëhet i shenjtë, legjendar e mitik, njëkohësisht, tek mban mbrenda vetes jetët e strehuara njerëzore e armët e lirisë: “Ti je më i lartë se Olimpi”. Krijuesi nuk e endëzon Olimpin individual të shprehjes e të qetësisë shpirtërore, prej nga do t’i vëzhgonte ngeshëm vuajtjen e mundimin e pafund të njerëzve. Ai ligjëron përpara një hapësire të ngushtuar të ekzistimit, para vdekjes e heroikes, po edhe para një auditoriumi të paskaj; para një auditoriumi të sëmurësh, të plagosurish, të uriturish, kryengritësish ; para njerëzve nën armë. Në ligjërimin e tillë s’ka zhgënjime a disponime të ngrysura e të ngërthyera në kornizat e një bote egocentrike. Lufta s’i pranon këto, sepse ajo bëhet për t’i hapur horizontet e gjera etike. Edhe jeta vetë të ligjëron aq e aq natyrshëm; jeta e vënë në zgripcin e saj. Sa poezi jetësore ka në vetë aktin e ballafaqimit me armën, me vdekjen, me vetësakrifikimin e ndërgjegjshëm! Me impulse të tilla baladike, me refleksione të tilla thellësisht të gjakuara, është thurë poezia “Baladë” që i kushtohet Mujë Krasniqit dhe 36 të rënëve në Gorozhub, më 14 dhjetor 1998. Poeti vetëm teksa e jep me një penelatë lirike sfondin dokumentaro-historik. Poezia nuk ka nevojë për të dhëna të tjera, as për parulla, as për përbetime a psherëtima; aty ku pushon reporteri i luftës, aty nis të flasë poezia. E vërteta njerëzore e luftës dhe e luftëtarëve, nuk do të mund të shqiptohej as për së afërmi në fusha të tjera, siç shqiptohet në poezi; kjo e vërtetë del si e tillë vetëm në aktin e fjalës poetike, vetëm në tingullin tronditës të baladës, në ligjërimin e ngritur dialogjik, tek e ringjall të vdekurin, si në baladat e moçme.

 

Ligjërimi i ngritur dialogjiko-lirik

Edhe përkushtimet tjera lirike të ciklit “Engjëjt e lirisë” janë të strukturuara në trajtën e baladave heroike. Thënia poetike i përafërohet eposit mitologjik, ashtu sikundër të vdekurit ligjërojnë për idealet e tyre së bashku me poetin. Këto ideale dhe këto të vërteta për kohën e madhe të luftës, hyjnë madhërishëm në kujtesën e brezave. Krijuesi vë dialog të gjallë me të rënët, me miqtë, me njerëzit e thjeshtë, me bjeshkët, me Atdheun, me botën e paanë. Drenica bëhet personifikim i kësaj kujtese brezash e idealesh, bëhet personifikim i atij realiteti tragjiko-dramatiko-heroik, që e hap skenën historike të vizioneve e të aspiratave shqiptare ( cikli “Lule Drenicë”):

Në shpinë mbaj eshtrat dheun varret
Raçakun Deliajt Jasharët
E udhëtoj drejt Londrës
Pa varkë pa avion

 Në këtë skenë dramatike vetë poeti është pjesëmarrës e dëshmitar. Aty ka një shkrirje të habitshme të individuales me heroiken e me luftën. Aty poeti endëzon poezinë e fatin e tij (cikli “Nën hijen e një peme”).

Në një tregim të vetin, Edgar A. Po rrëfen për heroin e tij mbas vdekjes që nuk iu ndahet së bukurës në jetë, po edhe frymëzimit të vet jetësor e dashuror. Kurse shkrimtarët romantikë evropianë, si Sheli, Riçardson, Bajron, Kits, De Sad etj e trajtojnë temën e njohur të afërisë së vdekjes me dashurinë, mu ashtu si këndon Tahir Desku në ciklin “Nën hijen e një peme” te libri i fundit poetik "Engjëjt e lirisë"; apo ashtu sikundër këndonte te libri i parë me figurën semantike-emblematike të këmgëtimit: “Prejardhja e dashurisë”.

Kështu rikëndon Desku. E mu aty, mu në mesin e ngushtimit më të madh të hapësirës së lirisë, Tahir Desku ka arrijtur ta krijojë vargun e tij. Ka arrijtur ta zë fjalën përpara kobit e përpara vdekjes, përpara çastit më suprem të martirizimit. Kurse dashuria është ajo fryma e amshueshme që nuk njeh mort:  

Unë do të vij
epër i bukur
Tepër i ri

Përjetësinë në këtë ndjenjë dashurore dhe përjetësinë në këndimin baladik të engjëjve të lirisë, ai i bën një: pavdekësuia, pra, semantizohet si ndryshim i përhershëm në kthim, në ecejaket e mbrendshme; sepse, si te urtakët idealistë, subjektivizmi është e vetmja mënyrë e ekzistimit, e të mbijetuarit. Poeti e përmend shpesh mundësinë e vdekjes. Po asesi ta pranojë fundin: ngjitja në Majën e Lartë (të pavdekësisë) arrihet nëpërmes veprimit të pandërprerë e jo pikës që mund t’ia vësh veprës (poezia e fundit në këtë libër nuk ka shenja pikësimi, ka vetëm një retiçencë); kjo përjetësi preket e ndjehet, tek e kupton kohën si relativitet absolut, në të cilën e tashmja bëhet një pafundësi e pandërprerë, e lëvizshme; arrihet në njësimin e të tri kohëve në Një:


A do të ketë emrin
përrallë e bukur
apo ditë e lirë që mungon (poezia “Dita që mungon”)
 
Me fjalën poetike ai gjendet përpara trazimit të skajshëm shpirtëror e përballë heroikes, përpara lamentit lirik të asgjësimit, të vetëflijimit e të zhbërjes; përballë lajtmotivit të engjëjve të lirisë. Kartografia e lirikës së vdekjes te Desku lëviz që nga substanca poetike e vdekjes e deri te dekodimi i saj figurativ, si alternativë e së madhërishmes për shkak të vlerave të amshueshme, siç janë liria dhe dashuria; lëviz që nga gjakimi lirik i saj për njohje të së fshehtës a si mundësi çlirimi nga të gjitha prangat që i vijnë njeriut nga shumë anë; që nga pikësynimi për t’u realizuar si mundësi metafizike e erosit, si metaforë biblike e “kurorëzimit qiellor” e deri te lirika e identitetit të vdekjes.

Në letërsi, megjithatë, është i njohur parimi i ndriçimit të poezisë me vetë aktin jetësor, ashtu sikundër do të përfshinte ky parim edhe ndriçimin e aktit jetësor me anë të poezisë. Në këtë drejtim poeti Tahir Desku ka arritur ta shpërfaqë një komunikim krejt të ri poetik. Një komunikim, i lindur mundimshëm nga vdekja e nga heroikja, po i drejtuar kundër vdekjes. Një komunikim aq universal që vë lidhje me njerëzoren. Tek e fundit, ky komunikim shkrin dhe shfaq më vete përmasën humane, njerëzore, si dhe atë katarzën e njohur aristoteliane me efekt çlirues: lufta dhe liria janë vepër e të gjithëve, janë fitore e mundimeve, e vuajtjeve dhe e sakrificave të përbashkëta kundër atij terri shekullor.

 
Nga libri:
Prend BUZHALA: MUZA E ZEMRëS, botoi ROZAFA, Prishtinë 2006

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen